Themeluesi i Lëvizjes 5 Yjet, Beppe Grillo, propozon që autostradat në Itali të jenë pa pagesë.
Pas tragjedisë së Xhenovës, qyteti i tij i lindjes, Grillo ka bërë thirrje për një fushatë mosbindjeje civile, në të cilën ai do të jetë në rreshtin e parë.
Objektivi është që lëvizja nëpër autostradat e vendit të bëhet pa pagesë, siç ndodh në shumë vende të Bashkimit Europian.
“Ne, baballarët dhe gjyshërit tanë i kemi paguar autostradat. Kostoja e tyre është amortizuar prej vitesh. Në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani, autostradat janë falas.
Në këto vende, në mënyrë legjitime, qytetarët i përdorin pa i paguar dy herë. I kanë financuar sërish, sepse janë të tyret tashmë.
Në Itali, autostradat u janë dhuruar koncesionarëve si “Benetton”, që fitojnë miliarda euro pa asnjë risk dhe pa investime kapitale”, shkruan Grillo në blogun e tij.
Në fakt, çështja e tarifave të autostradave që paguhen nga qytetarët dhe shkojnë në xhepat e koncesionarëve është ngritur dhjetë vjet më parë nga professor Giorgio Ragazzi, në librin e tij “Zotërinjtë e autostradave”.
Grillo risjell një intervistë të disa viteve më parë, ku Raggazi shpjegon mekanizmin financiar me të cilin u ndërtuan autostradat italiane në vitet ’60-’70, rimbursimin e kapitalit fillestar dhe nevojën e lindur në fund të viteve ’90 që të hiqeshin tarifat e autostradave ose kalimi i fitimeve te shteti.
“Nuk kemi paguar taksa për dekada me rëdhë për të pasuruar “Benetton”-in dhe ortakët e tij. Për autostradat e reja, diskutimi është tjetër. Kush do koncesion, të paguajë nga paratë e veta”, thotë Grillo.
Tragjedia e ndodhur pak ditë më parë në Xhenova nxori në pah mangësitë e autostradave italiane.
Rrjeti rrugor i ndërtuar që në vitet ’60 dhe i pamirëmbajtur në krahasim me të ardhurat e mbledhura nga taksa e përdoruesve, sipas ekspertëve paraqet rrezikshmëri në 60% të tij.
Qeveria italiane ka nisur procedurat për heqjen e revokimin e koncesionit kompanisë “Autostrade per l’Italia”, e cila në lidhje me ngjarjen e Xhenovës do të gjobitet me një vlerë prej 150 milionë euro.
Pak ditë më parë, shembja e urës Morandi, pjesë e autostradës A10, në Xhenova, u mori jetën 43 personave dhe la të plagosur 15 të tjerë, 8 prej të cilëve në gjendje të rëndë.


