Jeta e tyre u shua në mes pas tragjedisë që ndodhi në Genova, ku një pjesë e urës Morandi u shemb krejt papritur. 18 nga 38 viktimat do të përcillen sot për në banesën e fundit, funeralin shtetëror që do të mbahet sot në praninë e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.
Shumë familje, në fakt, kundërshtuan funeralin shtetëror që do të mbahet sot, ndërsa 20 viktima u varrosën dje në rite private, shkruan ‘Tgcom’. “Nuk duam një ceremoni farsë”, tha dje babai i një prej 4 viktimave nga Torre del Greco.
Ndërkohë, dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare pas tragjedisë së rëndë që goditi Genovan më 14 gusht, ku shteti italian do të ulë flamujt në gjysmë shtizë. Sakaq, nën rrënojat e urës Morandi janë ende forcat e kërkim-shpëtimit, të cilat vijojnë punën për gjetjen e të tjerë persona që rezultojnë të zhdukur, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar dalëngadalë po shuhen.


