Tragjedia e Xhenovës në Itali ku shembja e Urës Morandi shkaktoi 39 viktima mes të cilëve edhe dy shqiptarë shërbeu si kambanë alarmi për gjendjen e urave në të gjithë Evropën! Shumë shtete madje kanë nisur menjëherë kontrollet dhe marrjen e masave!
Në Shqipëri, autoritetet zyrtare ende nuk kanë njoftuar masa të tilla edhe pse mediat kanë evidentuar problematika në disa vepra arti!
Ura mbi Drinin e Zi në hyrje të Kukësit, që lidh verilindjen dhe Kosovën me pjesën tjetër të vendit, është një prej veprave të artit infrastrukturore që po behet gjithmonë e më e rrezikshme për shkak të amortizimit
Siç tregojnë këto pamje, hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar, ndërsa çernierat të cilat shërbejnë për eliminimin e tronditjeve dhe lidhjen e trarëve janë dëmtuar plotësisht.
Mungesa e kushteve të sigurisë për kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve tregojnë se mirëmbajtja e urës prej kohësh mungon.
Mbi këtë urë aktualisht kalojnë automjete të tonazheve të ndryshem, por që nuk ka një raport për peshën që ato mund të përballojnë duke pasur parasysh edhe amortizimin e viteve.
Por në asnjërën anë të urës nuk ka një tabelë informuese për tonazhin që mund të përballojë struktura.
Të ndikuar edhe nga ngjarja më e fundit në Itali, drejtuesit e mjeteve që përdorin shpesh këtë urë kërkojnë të dinë kapacitetet mbajtëse të urës
Shoferi: Duhen marrë masa që të tregon peshën sa mban.
Ura në hyrje të Kukësit mbi Drinin e Zi është ndërtuar në vitin 1974, pas përmbytjes së Kukësit të vjetër.


