Apeli i Krimeve të Rënda ka lënë në burg gjyqtarin Shkëlqim Miri.
Ky i fundit nuk është paraqitur në seancën gjyqësore, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjyqtari mësohet se është shtruar në spitalin e burgut prej katër ditësh dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Ai ka qenë i diagnostikuar me tumor. Avokati i tij ka kërkuar një masë më të lehtë për gjyqtarin, pasi sipas tij gjendja shëndetësore po rendohet çdo ditë e më shumë.
Ai u ndalua nga policia më 10 nëntor, pas një kontrolli të ushtruar në banesë një natë më parë, ku iu gjetën 34 milionë lekë, të cilat nuk justifikoheshin nga gjyqtari.
Pak ditë më parë, Miri kërkoi lirinë në Apel, me pretendimin se shumën prej 34 milionë lekësh e kishte marrë borxh për kurim, por sot është lënë në fuqi masa ‘arrest me burg’.
Hetimet ndaj gjyqtarit Miri kanë nisur nga akuza pas procedimit dhe arrestimit të tij për veprën penale të korrupsionit dhe mitmarrjes në shumën e 30 mijë eurove për një vendim gjyqësor, pasi rezultonte se Miri ka qenë pjesë e treshes gjykuese, e cila la në fuqi një vendim të gjykatës së Matit, që kishte ndryshuar akuzën për shtetasin Gentian Doda nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen.
Për këtë procedim, gjyqtari u prangos më datë 10 nëntor 2017 dhe për të Krimet e Rënda caktuan masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve, gjyqtari Miri u pezullua nga detyra si gjykatës me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.


