Një shkrim i botuar në Huffington Post nga Fron Nahzi, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar, flet për atë se si Europa me ndalimet që po i bën Kosovës në rrugën drejt integrimit europian, po e shtynë vendin e ri e të vogël drejt Turqisë, apo “neo-otomanizimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan”.
Dhe këtë ndikim turk Nahzi mundohet ta argumentojë në shumë mënyra – një prej tyre edhe me rritjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11 qershorit. Shkrimi nis me betimin e Albin Kurtit në Kuran gjatë fushatës së zgjedhjeve të tetorit.
“Fjalimi në fillim erdhi si shok. Në një tubim partiak para zgjedhjeve të tetorit lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, u betua në Kuran se fitorja do të jetë e tyre.
‘Kur të vijmë ne në pushtet’, u tha ai mbështetësve, ‘do t’i japim fund islamofobisë”, shkruan në rreshtat e parë të shkrimit të tij Nahzi. Sipas këtij shkrimi, Kosova, përkundër shumicës absolute myslimane, dikur ishte mbështetëse e madhe e perëndimit dhe kishte sytë ka SHBA dhe Europa, por tash, “18 vjet pas lufte, vendi po merr rrugë të tjera”.
Disa citime nga shkrimi
“Vetëvendosje po ndihmohet. Turqia, Katari dhe të tjerë po mbushin boshllëkun e lënë nga BE dhe SHBA. Nën rrethana të paqarta, në vitet e fundit qeveria e Kosovës shpërbleu Turqinë me kontrata miliardëshe”.
“Në zgjedhjet e tetorit, qytetarët e Kosovës u larguan nga retorika anti-perëndim e Kurtit dhe referencat e tij kuranore”, shkruan Fron Nahzi, duke aluduar se Vetëvendosja nuk fitoi njëjtë sikurse me 11 qershor, njofton Klan Kosova.
“Por, derisa Europa dhe partitë qeverisëse në Kosovë të mos bëjnë ndonjë ndryshim, Vetëvendosje është vetëm një palë zgjedhje larg formimit të shumicës në Parlament”.
“Europa duhet ta kuptojë këtë, duhet të heq vizat për kosovarët dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhjet e tyre në bazë të nevojave dhe aspiratave e jo frikës e frustrimit”.


