Të paktën 48 maturantë kanë mbetur të vrarë dhe 67 janë plagosur në një sulm kamikaz të kryer në një qendër arsimore private në Kabul. Shifrat i jep zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë afgane, Wahid Majroh.
Policia thotë se kamikazi hyri në qendër ndërsa mësimi ishte në proces dhe shpërtheu rripin-bombë.
Ndërtesa, në të cilën studionin dhjetëra djem e vajza, të cilët përgatiteshin për testet e hyrjes në universitete, ndodhet në një zonë me maxhorancë shiite dhe është targetuar disa herë nga ISIS. Talebanët mohojnë të kenë gisht në ngjarje.
Raportohet se ky është sulmi i dytë i përgjakshëm brenda ditës në kryeqytetin afgan.
Të paktën 35 ushtarë afganë dhe nëntë policë u vranë në një sulm nga talebanët në orët e para të mëngjesit në një bazë ushtarake në krahinën veriore të Baghlanit, Afganistan. Ky ishte sulmi i fundit i një seri sulmesh të përgjakshme të ndërmarra nga talebanët në krahinat e ndryshme të vendit.
Po gjatë mëngjesit, në lindje të Kabulit gjashtë fëmijë mes 10 dhe 12 vjeç u vranë nga një shpërthim në provincën lindore të Laghmanit. Shpërthim që dyshohet se u shkaktua nga një pajisje, që ndodhej në zonë e nuk kishte shpërthyer më herët.


