Dje Italia përjetoi një ndër tragjeditë më të mëdha të viteve të fundit. Rreth orës 11:50 një pjesë e autosradës e ngritur mbi një urë u shemb. 38 të vdekur dhe dhjetra të plagosur është bilanci i raportuar së fundmi nga mediat italiane. Ndër jetët e humbura ishin dhe dy shqiptarë ,Marjus Djerra dhe Admir Bokrina. Lidhur me ngjarjen tragjike që përjetoi Genova dhe Italia kanë reagur edhe politikanët shqiptarë.
Kryeministri Rama përmes një postimi në “Tëitter’ shprehu ngushëllime dy viktimave shqiptare duke u shprehur se gjithë ata që humbën jetën jane vëllezër dhe motra të shqiptarëve.
Tragjedia e Genovas ka thyer zemrën e Shqipërisë. Ndjekim me ankth orë pas ore bilancin e jetëve të humbura dhe përpjekjet e skuadrave të shpëtimit. Në mesin e rrënojave kishin edhe dy shqiptarë që jetonin në Itali, por për ne të gjithë ishin vëllezër dhe motra , shkruan kryeministri Rama dejtuar homologut Conte.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar një status në rrjetin social ‘Facebook’ pak orë më parë, ku ka reaguar për ngjarjen tragjike që ndodhi në Genova të Italisë.
Berisha ju shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, ku mes tyre ka dhe shqiptarë, si dhe u uron shërim sa më të shpejtë të plagosurve.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër ngushëllimi senatit dhe dhomës së deputetëve të Italisë pas tragjedisë në Genova ku humbën jetën dhjetëra njerëz.
Ruçi shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e jetëve dhe iu uron shërim të shpejtë të mbijetuarëve. Ai falënderon genovezët për mbështetjen ndaj shqiptarëve dhe thotë se populli shqiptar ndan dhimbjen me ta.
Pas tragjedisë së ndodhur në Genova të Italisë ku si pasojë e shëmbjes së urës kanë vdekur 38 persona dhe janë plagosur 15 ndërkohë që ka ende të zhdukur, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.
Nëpërmjet postimit të tij, Bushati shpreh dhimbjen dhe ngushëllim për humbjen e njerëzve në këtë tragjedi.
“Ngushëllime familjarëve dhe shërim të shpejtë të plagosurve nga shembja e urës Morandi, në autostradën A10”, shkruan ministri Bushati.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë që ndodhi në Genova, ku u shemb ura e autostradës dhe ku pati edhe viktima dhe shumë të plagosur.
Në një mesazh në “Twitter”, kryebashkiaku Veliaj shkruan se mendimet dhe lutjet shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa falenderon dhe ekipin e kërkim-shpëtimit që po punon pa ndërprerje në vendin e tragjedisë.
“Jam i pikëlluar nga tragjedia e tmerrshme që goditi Xhenovën. Mendimet dhe lutjet e mia për viktimat dhe familjet e tyre. Uroj një shërim të shpejtë të të plagosurve. Një falënderim për heronjtë që punojnë pa ndërprerje në vendin e tragjedisë”, shkruan Veliaj.
“Ngushëllime familjeve të dy shtetasve shqiptarë Marjus Djerri dhe Edi Bokrina. Ngushëllime familjeve italiane që humbën të dashurit e tyre”, shkruhet në faqen “Ministri i Shtetit për Diasporën”.
Përgatiti: AlpeNews.al








