Tragjedia e shembjes së urës mesditën e sotme në Xhenova të Italisë ka tronditur Evropën ditën e sotme, ndërsa mediat ndërkombëtare shkruajnë vetëm për të.
Deri tani numërohen rreth 35 viktima dhe fatmirësisht nuk ka konfirmim për shqiptarë që kanë humbur jetën.
Megjithatë janë ngritur edhe dyshimet e para pasi një shqiptar që banon pranë zonës ku ndodhi tragjedia, ka dërguar në “Ti Raporton” disa pamje dhe thotë se kanë humbur kontaktet dy emigrantë shqiptarë.
Ferdinand Sakaj thotë se nuk dihet nëse ata kanë qenë ose jo pranë urës por familjarët nuk mund t’i kontaktojnë.
Ai konfirmon se 5 familje shqiptare janë evakuuar nga zona ku ndodhi tragjedia.
Ndërkohë janë konfirmuar edhe 13 të plagosur, ndërsa 10 persona janë të zhdukur. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, një pjesë në shtratin e një lumi, por të tjera mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të. Madje, një kamion ka mbetur mrekullisht i ndaluar në fund të pjesës, që i ka mbijetuar incidentit.
Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera. E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.
Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor.




