Pogradeci nuk ofron vetëm mundësi për zhvillimin e turizmit familjar, por edhe vende tërheqëse me histori, traditë dhe natyrë të bukur.
Një rajon me mundësi të pafund për çlodhje dhe argëtim, Pogradeci është vendi i duhur për turistët e të gjitha moshave, si për ata që mendojnë ta vizitojnë për një ditë, ashtu edhe për ata që preferojnë të qëndrojnë më gjatë.
Lini
Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.
Bazilika e vjetër e krishtere e Linit
Jeta në gadishullin e Linit ka filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Gjatë kërkimeve arkeologjike është zbuluar një bazilikë e hershme kristiane me mozaikë të jashtëzakonshëm në dysheme qe nga shekulli i 4-5 -të të erës sonë.
Selca e Poshtme
Në Selcën e Poshtme mund të vizitohen pesë varret monumentale. Kalaja, e cila ndodhet në një pozicion të dukshëm të lugines së Shkumbinit, ka luajtur një rol të dorës së parë në luftrat iliro-romake dhe iliro-maqedonase. Në afersi të kësaj kalaje kalon rruga Egnatia. Ajo që e bën të njohur këtë vend janë pesë varret monumentale gdhendur në shkëmbin masiv të Gradishtës. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kemi të bëjmë me një qendër të zhvilluar ekonomike-kulturore të një rëndësie të madhe të shekullit 4-3 -të para Krishtit.
Ura e Golikut
Kur kthehesh në të majtë të rrugës Qafa e Thanës-Tirane dhe ndjek rrugën e fshatit ju mund të shijoni luginën piktoreske të lumit Shkumbin. Në afërsi të fshatit Golik do të gjeni një urë të lashtë që nga periudha romake e njohur si Ura e Golikut. Kjo urë elegante me tre harqe është ndërtuar me një arkitekturë të veçantë.
Lumi Shkumbin
Lumi i Shkumbinit është një nga lumenjtë më të gjatë në Shqipëri me ujë shumë të pastër që rrjedh përmes një pamje mahnitëse dhe derdhet në detin Adriatik. Shkumbini ka burimet e tij pranë Gurit të Nikes dhe Gurit të Topit në malet e Mokrës, rajoni i Pogradecit. Në të gjenden disa lloje peshqish, ku në rrjedhjen e sipërme shquhet trofta e famshme e lumit pranë burimeve me ujë të kulluar. Kjo bën të mundur sportin e peshkimit, ndërsa disa pjesë të lumit janë të përshtatshme për vozitje me kanoe.
Tushemishti / Driloni
Burimet e Drilonit ndodhen afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci, rrëzë kodrave dhe kanë një pamje të pakrahasueshme. Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror duke vazhduar me pas rrjedhjen në Liqenin e Ohrit. Uji vjen nga Liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashte si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.
Burimet e Kabashit
Vetëm 2 km nga Pogradeci, nëse ngjiteni përgjatë rrjedhës së lumit do të zbuloni një vend të mrekullueshëm. Me burime me ujë të kristaltë, lëndina të gjelbëruara dhe hije të freskëta do ishte vendi i duhur për piknik.
Potkozhani
Potkozhani është një fshat shumë interesant në rajonin e Pogradecit. Shtëpitë janë shumë të bukura, të bëra prej guri dhe të mbuluara me plloca. Rrugët midis tyre janë të ngushta dhe të shtruara me kalldrëm, ndërkohë që pjergullat dhe pemët e manit mbulojnë muret dhe varen mbi rrugica. Banorët mikprites të fshatit ofrojnë strehim për turistët në shtëpitë e tyre dhe ushqim tradicional me specialitete të ndryshme vendase. Në mes të fshatit është Kisha e Shën e Premtes me varrezat e vjetra që kanë kryqe guri të gdhendura me mjaft mjeshtëri.
Kisha e Shën Bitrit
Kisha mesjetare e Shën Dhimitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan. Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloca është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojne misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.
Rruga Egnatia
Në territorin e Pogradecit ndodhen disa degëzime të Rrugës Egnatia, rruga e famshme që në antikitet lidhte Romën me Kostandinopojën. Ka disa ura dhe fragmente të kësaj rruge të lashtë që fillojnë nga ura e Golikut, ura e Terziut në Proptisht, ura në luginën e Llëngës dhe ura e Nicës. Rruga dallohet prej gurëve të mëdhenj që i gjejmë në grykën e Llëngës, pranë luginës së lumit Shkumbin. Dikur në këtë rrugë ka kaluar Cezari dhe Apostulli Paul në udhëtimin e tij nëpër Iliri.
Kisha e Shën Marenës
Kisha dhe manastiri i Shën Marenës ndodhen në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.



