Helikopteri i një kompanie private që do merrte një nuse pëson defekt në Korçë bën ulje emergjente në mes të një blloku me pallate, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Ersekës” .
Në momentin e incidentit, në bordin e helikopterit ka qenë piloti dhe dhëndri i cili martohej, Gani H.
Ngjarja është shënuar pranë Unazës së Qytetit të Korçës rreth orës 10:30 në një lulishte pranë blloqeve të banimit.
Pranë vendit të ngjarjes ndodhet edhe një pikë karburanti, çka mund të rezultonte me pasoja të rënda nëse avaria do shkaktonte pamundësimin e uljes së helikopterit në sheshin e vogël të lulishtes.
Në një prononcim piloti tha se mjeti pësoi defekt teknik në ajër dhe ulja pranë lulishtes në Korçë ishte e detyrueshme. Sipas tij, nga incidenti nuk ka të lënduar, përveç dëmtimeve të mjetit.
Piloti i helikopterit: Helikopteri ka bërë ulje të detyruar në Korçë. Shkaqet e kësaj ulje janë teknike. Nuk ka dëme në njerëz, ka dëmtime të lehta mjeti.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 05.08.2018, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Ersekës”, pranë Unazës në Korçë, si shkak i një manovrimi të gabuar në ulje, është rrëzuar në një shesh pushimi, helikopteri i një shoqërie private me pilot dhe pasagjer shtetasin G.H.
Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale të helikopterit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


