E diela e 5 gushtit mund të konsiderohet si dita e pikut të sezonit, pasi burime nga porti i Durrësit bëjnë me dije se sot mbërrijnë 7 tragete dhe 1 kroçerë, me rreth 11 mijë pasagjerë.
Kroçera “Sirena” me flamur të ishujve Marshall mbërriti në port me 659 turistë të cilët u nisën drejt qyteteve historike dhe muzeale me autobusë. Por pavarësisht fluksit, Kapiteneria e Porti njofton se ka marrë masat për përpunim të shpejtë dhe të sigurt në terminalin e pasagjerëve.
Mësohet se rreth 1500 mjete: makina, autobusë e kamionë kanë mbërritur në port me 5 tragetet që kanë hyrë në bgredetin e Durrësit paraditen e sotme, si trageti Af Michela, Azzurra, Bari, Rigel II dhe Af Marina ndërsa Rigel III dhe Af Franchesca pritet të mbërrijnë në darkë. Tragetet sapo zbresin pasagjeret, nisen sërish për në shtetin fqinj, Itali.
Durrësi, Kruja, Berati dhe Tirana janë destinacionet e turistëve që zbritën paraditen e së djelës nga kroçera “Sirena” në portin e Durrësit. Turistët u nisën me autobuzë drejt qyteteve tona historike dhe muzeale.
659 turistë nga 24 vende të ndryshme ishin nisur mbrëmjen e kaluar nga Argostoli (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa sot pasdite kroçera “Sirena” do të vijojë lundrimin drejt Kotorrit (Mali i Zi). 502 nga turistët janë nga SHBA, ndërsa nuk mungojnë udhëtarë nga Zelanda e Re, Britania e Madhe, Tailanda, Australia, Belgjika, Kanadaja, etj., të interesuar për vendin tonë.
Itinerari i kroçerës “Sirena” përfshin 12 porte në Itali, Shqipëri, Maltë, Greqi, Malin e Zi dhe Kroaci, ndërsa turi përfundon më 9 gusht në Venecia.
Kroçera me flamur të ishujve Marshall ka një gjatësi prej 181 metra dhe vjen për herë të dytë në Durrës.


