Sezoni veror në të cilën ndodhemi, fatkeqësisht ka sjëllë edhe tragjedi ku ka pasur viktima në si pasojë e mbytjeve në det.
Vetëm para pak javësh, brenda një dite u shënuan plot katër mbytje dhe rrezikime të tilla që erdhën për pasojat nga më të ndryshmet.
Megjithatë ndër vite, fatmirësisht ka pasur edhe raste kur personat e rrezikuar kanë shpëtuar mrekullisht duke shmangur kështu një tragjedi të mundshme.
Gjiri i Lalëzit
Efektivët e Stacionit të Policisë Manëz, të cilët patrullojnë përgjatë vijës bregdetare në Gjirin e Lalëzit, kanë shpëtuar nga mbytja një fëmijë me iniciale E.P. 11 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pak orë më vonë po në Gjirin e Lalëzit Efektivet e Stacionit të Policisë Manëz kanë shpëtuar nga mbytja dy shtetas të tjerë, shtetasit H.S. 70 vjeç dhe G.Xh. 65 vjeç, banues në Tiranë.
Vlorë
Dy të rinj në gjendje të dehur kanë rrezikuar të mbyten pasi ishin futur për t’u larë në det. Ata janë shpëtuar nga policia kufitare e qytetit të Vlorës.
Dy të rinjtë, rreth 21 vjeç nga Sauku i Tiranës, nuk arritën të dilnin nga uji, pasi nuk ishin në gjendje të notonin për shkak të konsumimit të tepërt të pijeve alkoolike.
Kanë qenë pushuesit ata të cilët kanë vënë re që dy të rinjtë nuk po mundeshin të dilnin nga uji dhe kanë njoftuar menjëherë policinë kufitare, e cila ka ndërhyrë në kohë, duke bërë të mundur shpëtimin e tyre.
Durrës
Një çift bashkëshortësh rrezikuan të mbyteshin pasditen në plazhin e Durrësit.
Ndërhyrja e policisë kufitare si dhe e rojës bregdetare ishte vendimtar për shpëtimin e tyre. Mësohet se çiftit iu dha ndihma e parë në breg, pastaj u transportuan për në spitalin e Durrësit.
Vlorë
Dy vëllezër të mitur rrezikuan të mbyteshin në ujërat detare të Vlorës, por ndërhyrja në kohë e policisë lokale, shmangu një ngjarje të rëndë.
Telefonata e nënës së dy të miturve, I.GJ dhe A.GJ, respektivisht 15 dhe 13 vjeç, ngriti në alarm uniformat blu që mbërritën brenda pak minutash në bregdetin e Ujit të Ftohtë, aty ku ishin futur në det dy vëllezërit. Teksa po notonin në thellësi, ata u larguan nga bregu aq sa, kthimi pas u shndërrua në një pamundësi.
E shqetësuar, nëna e tyre nxitoi të telefononte në numrin e policisë, çka shënoi edhe fillimin e operacionit për shpëtimin e dy të rrezikuarve. Shërbimet e policisë, që mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërhynë përmes një mjeti lundrues, duke nxjerrë dy fëmijët në breg dhe duke i transportuar më pas, drejt spitalit rajonal, ku ata morën ndihmën mjekësore.
/AlpeNews.al






