Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkonte nga detyra anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Artan Broci.
Vetë Broci mungonte në seancën e sotme ku pritej të jepej vendimi, ndërkohë që në seancën e pak ditëve më parë, KPK deklaroi se gjyqtari kishte mospërputhje në deklarimin e pasurisë.
Sipas KPK-së, Broci kishte favorizuar një firmë ndërtimi e cila më pas dyshohet se i dha material ndërtimi në Shkodër.
Shkarkimi i tij e lë Gjykatën e Lartë me 4 anëtarë, duke e nxjerrë kështu jashtë funksioni.
Më herët i njëjti Komision konfirmoi në detyrë Medi Bicin, kandidat për në Kolegjin e Lartë Gjyqësor.
Komisioni kreu hetimin e tij të pavarur, prandaj deklarata e Bicit iu nënshtrua një hetimi të thelluar ku u konsistua se ka vilë 4-katëshe vendosur në truall 430 m2, ndërtuar gjatë 1993-1996.
Gjyqtari ka paraqitur një deklaratë ku vëllai thotë se e ka ndihmuar për shkaqe vështirësie financiare. Subjekti ka paraqitur prova për këtë gjë.
Ndërkohë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi këtë të martë nga detyra prokurorin Dritan Rreshka. Ai ishte aktualisht drejtues i komanduar i Prokurorisë së Tiranës.


