Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dërguar për kompetencë në Gjykatën e Krimeve të Rënda çështjen e vrasjes të Mirsad Kuçit, i cili u vra nga xhaxhai i tij Bujar Kuçi.
Ngjarja ndodhi në Shkodër me 23 shtator të 2017-ës në një rrugicë pas teatrit “Migjeni”. Pas asaj ngjarje gjykata la në “arrest me burg” autorin e dyshuar Bujar Kuçi.
Gjatë seancës paraprake përpara dërgimit të çështjes në gjyq u përballën babai i viktimës Faik Kuçi me vëllain e tij Bujar Kuçi. Sapo ka nisur seanca babai i viktimës doli nga salla e gjyqit duke mos arritur ta përballojë.
Ai tha përpara trupit gjykues fjalët: Ju bëni çfarë të doni mua më ka ikur djali dhe më ka lënë dy jetimë. Pas kësaj fjalie Faik Kuçi ka tentuar të shkojë drejt xhamit ku ndodhej vëllai i tij i dyshuar për vrasjen e Mirsad Kuçit.
Në ato momente babai i viktimës ka dalë jashtë sallës duke mos e përballuar më emocionalisht për shkak se vuan edhe nga zemra. Nga ana tjetër autori i dyshuar Bujar Kuçi ka pranuar krimin e kryer nga ana e tij por është shprehur përpara gjykatës se e ka vrarë nipin e tij për shkak se ai ka qenë në gjendje të dehur dhe ka tentuar që ta vrasë.
Faik Kuçi deklaroi se e ka qëlluar me thikë nipin e tij për t’u vetëmbrojtur nga ai. Në fund gjykata e shkallës së parë në Shkodër e dërgoi për kompetencë tek krimet e rënda këtë çështje. Bujar Kuçi edhe më përpara sipas burimeve ka tentuar që ta vrasë nipin e tij Mirsad Kuçi për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre për oborrin dhe çështje të tjera duke qenë se shtëpitë i kishin ngjitur.


