Policia e Fierit dokumentoi grabitjen e një karburanti dhe arrestoi organizatoren e kësaj vepre penale, e cila është një vajzë nga Mallakastra.
Anna Malaj, 31- vjeçe, u identifikua dhe arrestua ditën e djeshme si autore e vjedhjes së ndodhur më datë 2 korrik 2018. Nën kërcënimin e armës, ajo bashkë me kushëririn e saj (djalin e tezes), 22-vjeçarin Emiljano Grembim, arritën të marrin në një pikë karburanti në Levan një shumë prej 30 mijë lekësh të rinj. Ata janë autorë edhe të dy ngjarjeve të tjera në dy karburante të tjera, por vjedhja iu ka mbetur në tentativë, pasi punonjësit kanë reaguar dhe mbrojtur pronën. Edhe Emiljano u arrestua sot, nje dite pas kusherires.
Anna Malaj është beqare dhe jeton në fshatin Visokë me motrën e saj në një vilë trekatëshe, ndërsa kushëriri i saj është i martuar dhe me një fëmijë.
Të dy të rinjtë rezultojnë të jenë të papunë. Gjatë marrjes në pyetje, Malaj është shfaqur agresive duke këmbëngulur që Policia ka gabuar në arrestimin e saj pasi ajo nuk ka gisht në krim.
Burime të Policisë bënë të ditur se kanë dyshime se e reja ka qenë e përfshirë në të njëjtat veprimtari edhe gjatë periudhës që ajo ka jetuar në Greqi. Në sajë të një bashkëjetese që ka pasur në shtetin grek, ajo ka edhe një djalë 10 vjeç, i cili aktualisht jeton në Greqi me prindërit e Annës.
“Shtëpinë në fshat e kam ndërtuar me të ardhurat nga emigracioni. Atje kam edhe një djalë 10 vjeç. Verifikojeni po deshët. Keni ngatërruar person, pasi unë nuk kam lidhje me ngjarjet për të cilat më akuzoni”, mësohet të jetë shprehur në Polici e reja.
Por nga ana tjetër, Policia deklaron se ka prova të mjaftueshme për t’i adresuar asaj autorësinë e krimit.
Mësohet se për të realizuar grabitjet, Anna Malaj nga Mallakastra dhe kushëriri i saj përdornin një pushkë gjahu dhe një automjet, të cilit i vendosnin targa të vjedhura.


