Një zjarr masiv ka përfshirë sot pyjet që ndodhen rreth 55 kilometra në perëndim të Athinës, ,pranë Peloponezit jo shumë larg zonave të banuara, theksuan zjarrfikësit.
Flakët gjigante janë nxitur nga erërat e forta që arrinin deri në 50 kilometra në orë, ndërkohë që tymi i shkaktuar nga zjarri ishte i dukshëm dhe në kryeqytetin grek. Sipas mediave greke, vatra e fuqishme e zjarrit ka shkrumbuar rreth 100 shtëpi, ndërsa janë evakuar banorët e zonës së prekur.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar dhjetëra zjarrfikëse, pesë avionë dhe dy helikopterë. Problematike ka qenë situata në pyllin me pisha në malin Gerania, një lokalitet turistik mjaft i preferuar në Kineta.
Greqia është goditur nga një valë e të nxehtit që prej së dielës ndërkohë që shërbimet meteorologjike kanë parashikuar temperatura deri në 37 gradë Celsius për Athinën dhe 41 gradë Celsius në pjesën qendrore të vendit.