Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se homologët e tij iranianë dhe turq kanë mbështetur një propozim për të mbajtur një “kongres të popullit sirian”, i cili do të sjellë së bashku figura qeveritare dhe opozitare.
Udhëheqësi rus të mërkurën priti Hassan Rouhanin dhe Rexhep Tajip Erdoganin, ashtu si disa grupe opozitare siriane u takuan në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, përpara bisedimeve të sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë.
“Kongresi do të shqyrtojë çështjet kryesore në agjendën kombëtare të Sirisë”, u tha Putin gazetarëve në samitin në vendpushimin e Soçit në Detin e Zi, i ulur së bashku me Rouhani dhe Erdogan.
“Para së gjithash, kjo është hartimi i një kuadri për strukturën e ardhshme të shtetit, miratimi i një kushtetute të re dhe, në bazë të kësaj, mbajtja e zgjedhjeve nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara”.
Në një deklaratë të përbashkët, të tre udhëheqësit nënvizuan nevojën për të gjitha palët ndërluftuese për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe pengjeve, dorëzimin e trupave dhe krijimin e kushteve për një armëpushim të qëndrueshëm.
Përgatiti: AlpeNews.al



