Të dielën që lamë pas, erdhi çasti i përfundimit të ngjarjes më të madhe të sportit botëror, për këtë vit. Ngritja e trofeut më të lakmuar ndër miliona e miliona sportistë anekënd globit, shënoi edhe fundin e një aktiviteti të jashtëzakonshëm. Botërori i futbollit “Rusi 2018”, mbaroi ndoshta shumë më shpejt, sesa do të dëshironte shumëkush, ashtu siç mbarojnë të gjitha gjërat e bukura të kësaj jete.
Gjërat interesante konsumohen shpejt, por mbahen mend gjatë. Zgjasin për një kohë të shkurtër, por na ndjekin nga pas, përjetësisht. Imazhet që përcollëm shndërrohen në kujtime dhe ato mbeten nëpër labirintet e memories sonë, duke shënjuar në këtë mënyrë, një piketë të re në gjurmën e rrugëtimit jetësor të gjithsecilit prej nesh.
Për shumëkënd mund të ketë arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm për ta mbajtur mend, por edhe për ta harruar sa më parë, një aktivitet si ky. Dikush sepse ekipi i tij i zemrës, u shpall kampion bote, por shumëkush për krejt të kundërtën në fakt. Sepse për shembull, ekipi i tij i zemrës nuk ia doli të shkonte në botëror, ose edhe kur ia arriti, atje u rikthye në shtëpi, shumë më herët sesa e mendoi gjithkush. Dikush tjetër do ta mbajë mend, sepse ky mund të jetë botërori i parë që ka ndjekur. E si fëmijë ose adoleshent, imazhet e spektaklit sportiv më popullor në planet, do ta shoqërojnë përgjatë gjithë pjesës tjetër të jetës.
Dikush mund ta mbajë mend, sepse mund të ketë fituar ndonjë skedinë, por shumëkush kërkon ta harrojë për humbjen e tyre. Ndonjë tjetër për arsyen se mund të ketë drejtuar për herë të parë një emision sportiv në media, ose të jetë ftuar për herë të parë për të dhënë opinionrt e tyre për ndeshjet. Dikush mund ta mbajë mend, sepse një shok ose i afërm i tij vrau veten, pasi humbi gjithë rrogën duke vënë bast për fitoren e Belgjikës, për shembull. E shumëkush, për njëmijë e një detaje personale, kujtimet e së cilës, për një farë kohe ose përjetësisht, do t’i lidhë pikërisht me këto ditë kur të mbledhur përballë ekranit, përcollëm ndeshjet e një kampionati si ky që sapo lamë pas.
Përtej kujtimeve dhe përjetimeve personale, shqiptarët kanë arsye që ta kujtojnë gjatë botërorin e futbollit “Rusi 2018”.
E para, pavarësisht se ekipi ynë përfaqësues nuk ishte në Rusi si dy vjet më parë në Francë, shqiptarët e kanë përcjellë si kurrë më parë në historinë e tyre këtë aktivitet. Jo vetëm për shkak të mundësive të pakufizuara teknologjike që ekzistojnë tashmë, por edhe për shkak se u rikonfirmua, se futbolli mbetet dashuria më e madhe sportive e shqiptarëve.
E dyta, kuqezinjtë vërtetë nuk ishin me ekipin e tyre në botëror, por shqiptarët që morën pjesë në të me fanellat e ekipeve të tjera, lanë po aq, në mos më tepër gjurmë, sesa do të kishim lënë vetëm me ekipin tonë. Golat e Shaqirit, Xhakës, Xhemailit dhe Januzajt, na kanë gëzuar po aq sa edhe goli i vetëm i Sadikut kundër Rumanisë në “Francë 2016”.
E treta, festimi pas shënimit të golave kundër Serbisë, me simbolin e shqiponjës nga Xhaka dhe Shaqiri, ishin reklama më e bukur dhe më e madhe që i është bërë ndonjëherë simbolit tonë kombëtar dhe imazhit të flamurit shqiptar nëpër histori.
E katërta, pjesëmarrja e këngëtares shqiptare, Era Istrefi, përkrah Will Smithit dhe Nicky Jamit në performancën e himnit të këtij botërori “Live it up”, përballë 2 miliardë shikuesve në ceremoninë e mbylljes së botërorit në Moskë, ishte një tjetër pikë kulmore, që me siguri do të mbetet pjesë e kujtimeve tona.
Kurrë më parë në histori mediat dhe opinioni botëror, nuk kanë parë, nuk kanë folur e komentuar për shqiptarët, për përfaqësuesit tanë dhe për simbolin tonë kombëtar, sa në këtë aktivitet sportiv. Jemi me fat, që ky komb ka tashmë në majat më të larta të artit dhe sportit botëror, një brez të jashtëzakonshëm vajzash dhe djemsh të talentuar, që kanë bërë dhe po bëjnë për imazhin tonë, atë që nuk ia kishim dalë dot deri dje, ta bënim nëpër histori. E ndoshta edhe për këtë, kemi një arsye më tepër, për ta mbajtur mend botërorin e futbollit “Rusi 2018”.
Ka edhe shumë e shumë detaje të tjera që ndoshta ia vlen të evidentohen, si për shembull: pas më shumë se një dekade ndoshta, aktiviteti më i madh i futbollit, u pa nga shqiptarët ekskluzivisht nga ekrani i radiotelevizionit publik shqiptar, pa pagesë dhe në të gjithë territorin e vendit dhe kudo që ky sinjal kapet jo vetëm në aparatet televizive, por edhe nëpërmjet internetit.
Kompanitë e basteve, nëse u referohesh mediave, në vend që të pakësoheshin, janë shtuar këtë vit. Është afërmendsh të mendosh se edhe xhiroja dhe fitimet e tyre, janë shtuar. E për rrjedhojë, një kategori shqiptarësh janë varfëruar edhe më shumë, duke hapur njëkohësisht plagë të reja dhe duke acaruar edhe më tepër plagët e vjetra sociale, që kanë krijuar lojërat e fatit.
Në përgjithësi, shqiptarët e kaluan edhe një muaj të jetës së tyre me një alternativë të mirë argëtimi, individualisht ose edhe kolektivisht. Duke e mbledhur pas kësaj mendjen me Botërorin, e për tu bërë gati, që ta vijojnë vitin kalendarik me një sport tjetër, po aq kombëtar sa edhe futbolli, me pushimet. Me pushimet verore këtë radhë. Me plazhet, me udhëtimet, me projeksionin dhe arritjen drejt destinacioneve të programuara ose të improvizuara. Duke shkuar me familjet ose me shoqërinë, pranë detit e rërës. Në male e fusha. Në zonat urbane a rurale, brenda ose jashtë Shqipërisë.
E kështu javë pas jave, në korrik e gusht, duke pritur shtatorin për tu rikthyer nëpër shtëpi. Një periudhë ku përgjithësisht njerëzit e mbledhin mendjen për ca kohë nga futbolli e pushimet. Me shpresën për t’iu përkushtuar pas kësaj sezonit të ri shkollor. Sezonit të ri të punës, sezonit të ri politik, sezonit mediatik ose punëve të stinës në bujqësi, blegtori, emigracion a gjetkë.
Ajo që do të mbetet si një tjetër kujtim për tu harruar shpejt, pas kësaj ndoshta, do të jetë fakti se vera këtë vit, e bashkë me të edhe pushimet dhe argëtimi i shqiptarëve, për shkak edhe të botërorit të futbollit, kanë zgjatur më shumë se herët e tjera. Si mesdhetarë e ballkanas të mirë që jemi, kjo nuk është se na merakos shumë. Përkundrazi! AFP