Në debatin politik televiziv shqiptar, ashtu si edhe në Bibël, i pari ishte Fevziu. Madje e ka filluar aq herët, sa në 31 gushtin e 1997, kur ai u shfaq sigurisht me flokë, në ekranin e të vetmit televizion në Shqipërinë që ende nxirrte tym nga zajrri i trazirave të marsit, kolegët e tij talleshin me të. Po, po. Në kuptimin e parë të kësaj fjale. Vetëm kush ka qenë adult në atë periudhë, e kupton përse. Sepse ishte kulmi i mitit të gazetave, e kur tirazhi i gazetës më të vogël, ishte aq sa është sot tirazhi i gazetës më të madhe në Shqipëri. E të ishe një gazetar televiziv, për “yjet” e printit, ishte një gjë krejt boshe dhe gati gati, qesharake.

Kaq mjafton për të kuptuar joshjen e madhe dhe tundimin gati gati të parezistueshëm të shumë e shumë gazetarëve, për të patur një emision politik të vetin në një televizion, çfarëdoqoftë ai. E sigurisht, nëse është një ekran i madh, aq më mirë. Nëse është ndër kryesorët në Shqipëri, kjo është feja vetë! Kanë provuar shumë që të konkurojnë në këtë treg, por shumica nuk arriti që t’ia dalë. Derisa këtë sezon kemi si rrallëherë përveç emisioneve të tjera gjatë javës, plot katër emisione të debatit politik televiziv, në të njëjtën orë dhe në të njëjtën ditë.
E enjtja është padyshim “dita e shënjuar” e politikës në Shqipëri. Gjithçka fillon në orën 10.00 me fillimin e seancave plenare të Kuvendit, me debatet, e fjalimet pafund, të cilat jo rrallëherë përfundojnë ose në mbrëmje vonë, e në disa raste të nesërmen në mëngjes. Ndërkohë që televizionet informative gjatë gjithë ditës transmetojnë live fjalimet e politikanëve. Ndërsa në mbremje, bëhen gati të gjithë dhe me pult në dorë, ulen para ekraneve të televizorëve, për të ndjekur mbledhjen e “qeverisë së medias”.
Gara është më e fortë se kurrë mes katër “musketjerëve” të gazetarisë: Blendi Fevziut, Sokol Ballës, Ylli Rakipit dhe Artur Zhejit. E për rrjedhojë është një garë mes katër televizioneve ku ata garojnë: Dy televizionet kombëtare “Klan” dhe “Top Channel” nga njëra anë dhe dy televizionet informative “News 24” dhe “Ora News” nga ana tjetër. Të katër moderatorët, përveçse gazetarë me shumë eksperiencë, janë njëkohësisht njohës të shkëlqyer edhe të politikës shqiptare të këtij çerek shekulli. Përse e gjitha kjo? Sigurisht për audiencë. Për ndikim. Për influencë. Për garë. Për para (reklamash, të kuptohemi…). Për shikueshmëri.

Nëse futeni në internet dhe do të kërkoni një përkufizim për “Top Story”, do ta gjeni të shkruar aty: “Programi kryesor politik i “Top Channel” dhe një nga emblemat e ekranit tonë, drejtuar nga gazetari i njohur…” Pak ditë më parë, Kol Balla u largua nga pozicioni edhe i drejtorit të Informacionit të këtij televizioni, për tu fokusuar mbi dy emsionet e tij, ku tjetri është të hënën, në orën 21.00 gjithashtu. Me siguri do kemi emisione më cilësore prej tij, pas kësaj.

Nuk dihet se cili prej ekraneve do të fitojë apo do të humbë më shumë, nga kjo garë e fortë e “kuajve të rracës” së gazetarisë televizive shqiptare. Ajo që shikuesve i intereson më shumë, është që të fitojnë ata vetë, duke ndjekur emisione sa më profesionale e më të dobishme për kërshërinë apo problemet e hallet e tyre. A do ia arrijnë. Të shohim. Ne nuk dimë gjë. “Qeveria e së enjtes mbrëma”, i di këto punë!
Përgatiti: AlpeNews.al



