Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka publikuar dy ditë më parë në rrjetin e tij social “Facebook” gabimin e bërë tek dëftesat e lirimit, në seksionin e numërimit të lëndëve. Sipas Boçit, kjo është papërgjegjshmëri dhe paaftësi që ua nxjerr dëftesën juridikisht të pavlefshme nxënësve.
Ndërsa sot ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i është përgjigjur akuzave të deputetit, duke u shprehur se nuk ka dëftesa me gabime dhe as vonesa. Nikolla ka kërkuar që Partia Demokratike të bëjë të ditur faktet dhe jo gënjeshtrat e shpifjet. Por nga ana tjetër ministrja ka thënë se do të shkojë në prokurori për shpifjet e bëra nga Luciano Boçi.
“Nuk ka dëftesa me gabime, nuk ka pasur vonesa. Diplomat janë bërë për maturantët që do shkojnë jashtë vendit, PD të tregojë emra dhe fakte për maturantët, ka vetëm shpifje dhe gënjeshtra. Do i drejtohem prokurorisë për shpifjet e bëra nga Luciano Boci. Dëftesat po shpërndahen dhe tenderi është kryer sipas procedurave ligjore.”


