Së fundmi në Shqipëri është përhapur trendi i ri i ‘ngrirjes së vezëve’ nga femrat VIP të showbizit shqiptar. Një trend ky, i nisur nga Bleona Qerreti, i cili shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, të cilat arritën deri edhe në fyerje ndaj këngëtares.
Por pas Bleonës, një VIP tjetër konfirmoi se kishte kryer ngrirjen e vezëve, madje shumë kohë më parë. Pikërisht këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të konfirmonte se e kishte kryer këtë ‘ritual’, për arsye të karrierës dhe angazhimit profesional.
Por çfarë është ngrirja e vezëve?
Kjo metodë e re e aplikuar së fundmi, mundëson ruajtjen e vezëve përmes procesit të ngrirjes. E njohur ndryshe si kriopreservimi i ociteve konsiston në marrjen, ngrirjen dhe ruajtjen e vezëve të një gruaje.
Kjo është një mundësi e shkëlqyer për riprodhimin, pasi tani të gjitha gratë që duan të ruajnë vezët e tyre për të bërë fëmijë më vonë, për shkak se nuk kanë ende një partner apo për arsye të tjera mjekësore, sot e kanë këtë mundësi përmes procesit të kriopreservimit të ociteve, pra ruajtjes së vezëve.
Me anë të kësaj metode të gjitha femrat mund të vendosin vetë se kur dëshirojnë të bëhen nëna.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij procesi është edhe maturimi i vezëve, të cilat merren në kohën kur nuk janë maturuar ende dhe procesi i maturimit bëhet në laborator. Kjo teknikë përdoret për femrat që nuk i maturojnë dot vetë vezët në trupin e tyre.
Të interesuar rreth kësaj, një gjinekologe e spitalit “Mbretëresha Geraldinë”, u shpreh për AlpeNews.al se:
“ Kjo do të thotë se ne i marrim vezët nga gratë, kur ato ende nuk janë maturuar, i maturojmë ato në laborator dhe bëjmë më pas procedurën e fertilizimit in vitro. Medikamentet e përdorura për këtë procedurë janë shumë të kushtueshme. Ovari policistik është shumë i përhapur, e në momentin që merret kura për stimulimin, mund të hiperstimulohen. Për të parandaluar këtë, ne mbledhim vezët dhe i maturojmë në laborator, duke shmangur komplikacionet dhe ulur shpenzimet e medikamenteve për pacientet”
Për gratë që kanë një historik familjar të kancerit të gjirit apo të vezoreve, ato mund t’i ruajnë vezët që në moshën 20 vjeçare, duke evituar rrezikun që vezët të dëmtohen.
Sa më e re të jeni kur të ngrini vezët tuaja, aq më mirë. Nëse ju jeni në moshë të madhe edhe veza juaj është në moshë të madhe, gjithashtu. Rezultati? Fertiliteti juaj bie, dhe rreziku për të pasur një fëmijë me anomalitë kromozomale rritet. Ka faktorë të tjerë në të dyja këto, por vezët më të vjetra janë fajtori kryesor.
Përgatiti: AlpeNews.al




