Ndërsa procesi i “pastrimit të drejtësisë, vijon ende, duket se numri i prokurorëve e gjykatësve që ngecin në rrjetën e madhe të Vettingut, shtohet dita ditës.
Megjithatë, interesante janë arsyet që fillojnë nga paratë e fituara nga bastet, e deri tek gjyqtari i Gjykatës së Lartë, që për ironi të fatit ka qënë i dënuar në Itali për vjedhje.
Kush janë ata që “ngecën” në rrjetën e Vettingut:
Çfarë ndodhi sot me Admir Thanzën. I dënuar për vjedhje, rrezikon të mos kalojë Vettingun:
Gjyqtari Admir Thanza rrezikon të mbetet në ‘rrjetën’ e Vettingut, për një mori problemesh që nga mos justifikimi i pasurinë, lidhjet me elementë kriminalë dhe dënimi në Itali për vjedhje. Admir Thanza, gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, është një figurë e rëndësishme e drejtësisë shqiptare, pasi ka pasur një karrierë në ngjitje në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Megjithëse atij Vettingu i zbuloi një mori me probleme, ato në asnjë rast nuk kanë përbërë problem për Kuvendin e Shqipërisë, i cili e ka votuar dy herë si gjyqtar në gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Mosjustifikimi i pasurisë, lidhje me elementë kriminalë dhe dënimi në Itali janë tre elementët kryesorë të raportit të thelluar të KPK, që pritet të ‘djegin’ gjyqtarin Thanza, i cili ka qenë i pranishëm në seancën dëgjimore së bashku me avokatin e tij, Theodhori Sollaku.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se për gjyqtarin Thanza është bërë Vetting në tre kollona, për pasurinë, për pastërtinë e figurës dhe për aftësitë profesionale. Ashtu si ILDKP, edhe hetimi i thelluar i KPK ka ‘fundosur’ Admir Thanzën, i cili rezulton pronar i disa apartamenteve, për të cilët nuk justifikon pasurinë, i proceduar penalisht për korrupsion, i dënuar në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta për vjedhje, dënim të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Në konkluzionet e ILDKP për gjyqtarin Admir Thanza rezultonte se:
1. Deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin
2. Nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë
3. Ka kryer fshehje të pasurisë
4. Ka kryer deklarim të rremë
5. Subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave
Luan Kaloçi:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokurorin e Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi. Ai nuk e kaloi filtrin e Vettingut për shkak të mos justifikimit të pasurisë.
Kaloçi kishte deklaruar se kishte fituar 5.2 milionë lekë në baste sportive. Kaloçi ishte kandidat edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gentian Trenova:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimnit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit në Tiranë Gentian Trenova.
Pasi iu nënshtrua procesit të rivlerësimit, Trenova nuk arriti dot të kalojë Vettingun.
Nga sa rezultoi në seancë, ish-prokurori i krimeve të Rënda kishte probleme me dy shtyllat e vettingut; pasurinë dhe aftësinë profesionale. Në raport thuhej se jo vetëm nga ILDKPI, por edhe nga hetimi i thelluar i komisionit ka rezultuar se prokurori ka bërë deklarim të rremë dhe ka mungesë të burimeve financiare.
Fatos Lulo:
Fatos Lulo u rrezua pak jave me pare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka kaluar Vettingun për shkak se nuk mund të justifikonte pasurinë e tij. Në përfundim të vlerësimit të gjykatësit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi gjykatësin nga detyra për shkak të pasurisë së tij.
Gjykatësi Fatos Lulo nuk arriti të justifikojë 480 mijë dollarë me të cilat do të blinte një shtëpi në Kanada dhe 100 mijë euro. Të dyja këto shuma, gjykatësi pretendoi se ia kishte marrë të motrës hua apo si dhuratë.
Fatmir Hoxha:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Fatmir Hoxha, duke e shkarkuar nga detyra, si pasojë e mos justifikimit të pasurisë.
Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha nuk e justifikon pasurinë e tij. Ky ka qenë konstatimi i Komisionit i Pavarur i Kualifikimit lidhur me burimet e pasurisë për blerjen e një apartamenti me vlerë 140 mijë euro.
Mospërputhje në deklarim për burimin e parave, mban shume para cash, vendime ne konflikt interesi, mungesë të ardhurash për blerjen e një apartamenti në vitin 2005, 109 metra katrorë me vlerë 60 mijë euro dhe probleme edhe me një truall që ka në Gjirin e Lalzit. Këto janë vetëm disa nga konstatimet e KPK për pasurinë e Altina Xhoxhajt, që “ngeci” në Vetting.
Vendim negativ është dhënë edhe për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe prokuroren e Prokurorisë së Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani.
Besim Trezhnjeva shkarkohet nga detyra si pasojë e mos kalimit të vetingut.
Nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rezultuar se gjyqtari Trezhnjeva ka gënjyer për një kredi prej 50 mijë euro për të blerë apartament.
Sipas dokumenteve të KPK, rezulton se kredia ka kaluar në llogari të një kompanie ndërtimi në Durrës.
Besa Nikëhasani ishte prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër. Komisioni konstatoi se ajo nuk justifikonte pasurinë, duke paralajmëruar kësisoj mundësinë e përjashtimit të saj nga gjyqësori që në mbledhjen e parë të saj.
Besa Nikëhasani është prokurorja e parë e cila mbeti në vlerësimin nga KPK pas gjyqytarëve Fatos Lulo dhe Besim Trezhnjeva, të cilët nuk e kanë kaluar vettingun për shkak të mos justifikimit të pasurisë.
AlpeNews.al










