Ministër i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik serbe, Nenad Popoviç bëri thirrje për ndërprerje të negociatave me Prishtinën. Ky reagim vjen pas arrestimit të 5 serbëve në Kosovë.
“Arrestimi i sotëm i serbëve në Kosovë nga autoritetet separatiste shqiptare është padyshim një hyrje në një valë të re të dhunës ndaj popullit serb,” tha ai në një deklaratë për media, transmeton Klan Kosova.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm u arrestuan pesë serbë në Shillovë të Gjilanit si të dyshuar për përfshirje në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Më pas ata u liruan me procedurë të rregullt. Mediat serbe raportuan se pesë serbët u arrestuan nën dyshimin se kanë ushtruar presion ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së për t`u larguar nga shërbimi.


