Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë është i arrestuari i policisë së Vlorës për ngjarjen e rëndë që tronditi pushuesit në Dhërmi një natë më parë, ku në një disko të njohur të zonës, ka qëlluar 4 herë me armë zjarri, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.
E gjithë ngjarja sipas bluve ndodhi pas një sherri mes Emiljanos dhe një tjetër personi për konflikte të hershme mes tyre.
Por Panorama mëson se Emiljano Nina, i cili njihet edhe si Emiljano Tasho, është me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është një nga personat e arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ndodhur 3 vite më parë në një lokal në Linzë, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj dhe u plagos Ismet Gazheri, ngjarje e ndodhur në restorantin “Muraga”.
Tasho, ose Nina, është i dënuar me vendim gjykate me 14 vite burg, dhe dje duhet të ishte prapa hekurave, por mbetet e paqartë se si ai kishte përfunduar në Dhërmi për pushime.
“PANORAMA” sjell vendimin e plotë të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila më 09.11.2016, e ka dënuar Emiljano Tasho Ninën me 14 vjet burg.
Aty thuhet: Gjykata e Apelit Tiranë, në bazë të nenit 428/a/b dhe “c” të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.1430, datë 04.05.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të pandehurin Emiljano Tasho dhe Erjon Biraci, me këtë ndryshim për të pandehurin Emiljano Tasho. Në bazë të nenit 278/1 të K.Penal dënimin e të pandehurit Emiljano Tasho me 4 (kater) vjet burgim. Në bazë të nenit 278/3 të K.Penal dënimin e të pandehurit Emiljano Tasho me 2 (dy) vjet burgim. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të K.Penal, dënimin e të pandehurit Emiljano Tasho me 21 (njëzet e një) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar perfundimisht i pandehuri Emiljano Tasho me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burgim.


