Një maturante nga Fushë Bulqiza rrezikon vazhdimin e shkollës si pasojë e gabimeve të gjendjes civile. Artjola Shyti, nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme në Fushë Bulqizë, u ankua se ka probleme me certifikatën e Lindjes.
Megjithëse ka lindur në Bulqizë, në certifikatë i shkruhet “Mat, Bulqizë”. Pra, është bërë gabim, rrethi vendlindja.
Nëna e vajzës, Fëllënza, thotë se vajza ka lindur në vitin 1999 në Bulqizë. “Në maternitetin e Bulqizës kemi dokumentin e spitalit siç ka lindur vajza. Gabimi është bërë në gjendjen civile në Durrës” thotë ajo. Ndërkohë, Artjola thotë se dikur kanë pasur pasaportizimin në Durrës. “Kur e morëm që atje u bë gabim, e bënë vendlindjen Mat, Bulqizë. Që atëherë nuk bëj kartë identiteti, as pasaportë. Karta e identitetit më duhet për provime. Ma kanë kërkuar nga shkolla. Nëse nuk e rregulloj në kohë, rrezikoj vazhdimin e shkollës së lartë” thotë ajo. Më tej shton se kanë shkuar te zyra e gjendjes, por nuk e pranojnë.
Nëna e vajzës thotë se akti i lindjes nuk është gabim. “Është siç e kam lindur, në bazë të regjistrit. Gabimi është në Gjendjen Civile. Gjendja civile na thotë se nuk e rregullojmë dot. Më kanë thënë t’i drejtohemi gjykatës, por ne nuk kemi mundësi” thotë Fëllënza. Në fund vajza thotë se “është e drejta jonë dhe s’kemi pse shkojmë nëpër gjykata. Kërkoj që të marr një identitet si gjithë të tjerët. Të bëhet vendlindja siç duhet”.
Pas ankesës, Fiksi shkoi në gjendjen civile në Fushë Bulqizë. Sheqere Hasa, nëpunëse e gjendjes civile thotë se akti lindjes është mbajtur në zyrën e gjendjes civile Durrës, kur është mbajtur ati i lindjes është bërë gabim rrethi, nga Bulqizë është bërë Mat. “Ne si gjendje civile nuk kemi të drejtë të bëjmë korrigjim” thotë ajo.


