Katër personat e arrestuar për 3.4 milion eurot do të dalin të enjten para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa policia po vijon kërkimet për dy të shpallurit në kërkim Elvis dhe Alfred Vladi, që besohet se kanë qenë porositës të sasisë monetare.
Verifikimi në sistemin TIMS (sistem për verifikimin e hyrjeve dhe daljeve të individëve nga Shqipëria në të gjithë pikat kufitare) nuk ka dhënë rezultat pasi dy kushërinjtë Vladi nuk kanë rezultuar të kenë përdorur ndonjë pikë kufitare për të dale jashtë vendit që gjë shton dyshimin se ata mund të jenë larguar ilegalisht ose mund të fshihen brenda vendit.
Paralelisht po vijojnë hetimet edhe ne lidhje me dekonspirimin e operacionit.
Drejtoria e standarteve profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedimin disiplinor edhe per disa efektive të policisë kufitare në Durrës dhe krimit ekonomik.
Policia e Shtetit ka nisur procedimin për sasinë e eurove më 20 qershor pas marrjes së informacionit nga SHISH. Për tri ditë deri më 23 qershor kur u kapën eurot, informacioni kishte qarkulluar tek një grup i vogël efektivash të policisë, të cilët janë vendosur të gjithë në verifikim për të parë se nga ka rrjedhur informacioni.
Kjo per faktin e rrjedhjes së informacionit një ndër të cilat është edhe dalja e fotove të publikuara në media që paraqesin qeset me euro brenda paketimit të provave materiale. Por gjithë materiali pritet ti kalojë Prokurorisë së Krimeve të rënda pas vendimit që do të marrë Gjykata e Durrësit për caktimin e masave të sigurisë për katër të arrestuarit për të cilët do të kërkohet arrest me burg.


