Një ditë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në Qershor të vitit 2019 nëse plotësohen kushtet e paracaktuara, Kryetari i Partisë Dmeokratike Lulzim Basha tha se qeveria Rama po mashtron shqiptarët.
“E vërteta është se negociatat nuk janë hapur, por se ka mundësi të hapen në vitin 2019 nëse plotëson kushtet…Qeveria, Edi Rama, makina e saj e propagandës ka zgjedhur të mashtrojë shqiptarët”, tha Basha, duke shtuar se “Këshilli Europian nuk do ta shqyrtojë fare nesër çështjen e hapjes së negociatave dhe e ka shtyrë këtë vendimmarrje të paktën për një vit për në Qershor 2019”.
Basha tha se nuk ka as vendim për hapjen e negociatave, as datë për hapjen e negociatave.
“Janë 3 hapa për t’u ndërmarrë deri në vendimin e Qershorit 2019. Do të ketë një tjetër raport nga Komisioni për përmbushjen apo jo të kushteve që i janë vënë Shqipërisë; Hapja e negociatave do të duhet të diskutohet nga parlamentet e atyre vendeve që e kërkojnë këtë procedurë për të autorizuar apo këshilluar qeveritë përkatëse; Vetëm nëse vendet anëtare konsiderojnë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet atëherë do të futet në axhendën e vendimmarrjes në Këshillin Europian në Qershor 2019.”
Basha tha se “moshapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën qeverisjen Rama, është refuzim personal ndaj Edi Ramës dhe klikës së inkriminuar që sundojnë mbi shqiptarët. Është refuzim i Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Rroshit, dhe kupolës politike të PS, pothuajse e gjitha e lidhur me krimin dhe me drogën.”


