Partia Socialiste shumë shpejt pritet që të tronditë politikën. Teksa opozita ka nisur një valë sulmesh ndaj ministrit të Brendshëm, këtë herë do të jetë komisioni i ngritur për të hetuar fenomenin e drogës, ai që do të trazojë Parlamentin. Ky komision në mbledhjen e fundit vendosi që të kërkohet informacion në disa institucione shtetërore. PD vendosi të kërkojë më vete të dhëna, kryesisht sa i takon ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa PS dërgoi 8 shkresa për të hetuar fenomenin e kanabisit që kur vendi drejtohej nga Sali Berisha. Gazeta u interesua pranë këtij komisioni dhe ka mësuar se një pjesë e madhe e përgjigjeve nga institucionet janë kthyer. Mësohet se institucione si SHISH, prokuroria, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, Qendra Kombëtare e Biznesit, Gjykata e Tiranës, etj., kanë kthyer përgjigje. Ajo që bie në sy është se PS ka marrë në dorë të dhëna për dy prej pretendimeve të saj kryesore. Socialistët më herët kanë hedhur akuza se LSI ka pasur lidhje të forta me të shumëkërkuarin Klement Balili dhe i ka dhënë atij grante. Për këtë arsye socialistët ju drejtuan me një shkresë Ministrisë së Bujqësisë, për të mësuar më shumë detaje. Ditët e fundit kjo ministri ka vënë në dispozicion të gjitha marrëveshjet që janë firmosur me familjen Balili. MB ka dorëzuar të dhëna mbi një kontratë e nënshkruar me datë 20.05.2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë Balili&Co shpk, ku Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion të kompanisë Balili&Co shpk 21.4 hektarë tokë bujqësore në Buronj të Delvinës. Po ashtu janë dhënë informacione për një tjetër kontratë, të firmosur më 06.07.2016, vetëm dy muaj pasi Klement Balili u shpall në kërkim. Gazeta ka mësuar se Ministria e Bujqësisë ka kryer vetë një proces auditimi për këto kontrata dhe të gjitha gjetjet tashmë janë në dorë të komisionit.
Lidhjet e PD me drogën në Durrës
Një tjetër çështje që po hetohet nga PS në komision është ajo e kapjes së 613 kilogram kokaine në qytetin e Durrësit. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar Taulant Balla kanë dhënë sinjale se peronat që fshihen pas kokainës kanë lidhje të ngushtë me Partinë Demokratike. Për këtë arsye socialistët në komisionin hetimor ju drejtuan me një shkresë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku kërkuan informacion mbi bizneset e regjistruara në emër të Arbër Çekajt, pasi droga u kap në magazinën e tij. Edhe QKB mësohet se ka kthyer përgjigje pranë komisionit dhe socialistët kanë në dorë të gjitha të dhënat, për të vërtetuar nëse PD ka lidhje me personat e akuzuar apo jo.
Përplasjet
Pavarësisht se pranë komisionit të dyja forcat politike kanë marrë informacion për shumë çështje, komisioni vijon të mos mblidhet. Gazeta u interesua pranë tij dhe shkak është Partia Demokratike. Sipas rregullores, komisioni thirret vetëm nga kryetari dhe në raste të tjera është ai që autorizon nënkryetarin. Por kryetari është Edi Paloka dhe ai nuk e ka thirrur komisionin që prej datës 2 maj. Arsyeja është se Policia dhe Ministria e Brendshme nuk kanë kthyer ende përgjigje sa i takon rastit “Tahiri”. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se institucione si prokuroria, SHISH, Ministria e Drejtësisë, gjykatat, etj., kanë kthyer përgjigje. Megjithatë PD ka vendosur të presë përgjigjet e policisë dhe Ministrisë së Brendshme.


