Deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare paralajmëruan ditën e djeshme hapjen e dosjeve për Bashën, Berishën dhe deputetët e tjerë të opozitës të akuzuar për afera. “Kërcënimi” erdhi nga Pjerin Ndreu, i cili nga salla e Komisionit të Sigurisë i kujtoi Berishës, Bashës dhe Partisë Demokratike të gjitha aferat dhe standardet kriminale, sipas tij, të ndjekura prej tyre. Edhe pse Komisioni i Sigurisë ishte mbledhur për të diskutuar për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për masat ndaj dhunës dhe marrëdhëniet familjare””, debatet e forta mes opozitës dhe mazhorancës nuk munguan. Ishin deputetët demokratë, Myslim Murrizi dhe Xhemal Gjunkshi ata që e larguan vëmendjen nga diskutimi për rendin e ditës për tu fokusuar tek kauza e tyre opozitare. “Në këto 5 vite policia ka qenë e angazhuar me një axhendë tjetër. Fakti që brenda 5 viteve në mazhorancën tuaj kemi parë në krye të policisë dy ministra të Brendshëm, jo rastësisht se këto nuk janë zgjedhur me goglat e telebingos, por janë zgjedhur të piketuar. I pari ishte kampioni, i dyti që zëvendësoi kampionin kanë qenë strategji e mazhorancës tuaj që në krye të këtij institucioni prej 14 mijë trupash që duhet të luftonin dhunën, krimin dhe trafiqet, ishte pjesë e bandave që kontrollonin trafikun. Nuk besoj që do të ketë kredibilitet kjo polici me këtë ministër që t’i ofrojë mbrojtje atyre zonjave që mund të jenë dhunuar edhe nga një përdorues droge. Këtu mungon vullneti për të zbatuar ligjet, nuk mungojnë ligjet”, tha demokrati Murrizi. Sipas tij, ligjet në vendin tonë nuk mund të zbatohen nga ata që i kap vetë ligji, qoftë penal, qoftë moral.
Paralajmërimi i PS
Deklaratave të Myslim Murrizit iu përgjigj deputeti socialist, Pjerin Ndreu, i cili nuk la pa përmendur çdo ngjarje kriminale dhe aferë të ndodhur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha. Duke e ndalur theksin veçanërisht tek ngjarja e “21 Janarit”, tragjedia e Gërdecit, apo edhe tek droga në Lazarat, Ndreu theksoi se mazhoranca është në dijeni të shumë gjërave për deputetët opozitarë për të cilat do të flasë shumë shpejt. Në këtë mënyrë PS dha sinjale se dosjet do hapen dhe aferat e demokratëve do zbardhen. “Unë mendova se opozita ka ardhur të diskutojë për projektligjin, por ata po e ngatërrojnë me të njëjtën çështje. Flisni vetëm keq për qeverinë, por harroni bëmat tuaja në të kaluarën, kur ai ish-shefi juaj u rrihte shpatullat gardistëve që vranë 4 të pafajshëm në bulevard. Ky është një standard që e keni instaluar ju dhe jo ne. Ish-shefi juaj mbante në krye të Policisë së Shteti një drejtor që ishte me urdhër arresti. Kur ai vriste 26 vetë në Gërdec dhe as nuk trembej fare, edhe ky është standardi juaj. Merrini shefat e krimit në Lazarat. Ju keni qenë kampionët e organizimit të trafikut në Lazarat dhe vetë kryeministri i asaj kohe tha që unë e lejova këtë. Unë di shumë më tepër se kaq për njerëzit tuaj, por do të fliten në momentin e duhur”, tha Pjerin Ndreu. Ai shtoi se edhe mazhoranca ka gabime, por theksoi se ajo po përpiqet t’i ndreqë. E menjëhershme ishte replika e Myslim Murrizit pas këtyre akuzave të deputetit socialist. Murrizi deklaroi se imazhin e këtij vendi nuk e ka nxirë Partia Demokratike. Më tej ai nënvizoi se që nga viti 2013 e deri më sot PS ka qenë në qeveri dhe fare mirë mund të kishte zbardhur të vërtetat e çështjeve të lartpërmendura.


