Kryetari i Bashkisë së Tiranës eshte larguar nga mbledhja e Komisionit te Medias.
Situata është tensionuar në esktrem në Komisionin Parlamentar të Medias, ku pritej të niste një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Tema ka qenë: Debati për shembjen ose jo të godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë e për ndërtimin në vend të saj të një godine të re.
Shkak për këtë situatë është bërë refuzimi i Veliajt për të dalë nga mbledhja e Komisionit, siç ka urdhëruar drejtuesja e tij Albana Vokshi. Por, në vend që të ulen tensionet në sallë po tentojnë të futen deputetë të PD që nuk janë anëtarë të komisionit, duke u shprehur se kërkojnë të nxjerrin Veliajn me dhunë.
Eshtë kërkuar dhe duket në sallë prania e punonjësve të Gardës së Republikës që po tentojnë të qetësojnë situatën. Bien në sy ata që njihen si “grupi i zjarrit” i PD, Flamur Noka, Ervin Salianji, Klevis Balliu, etj të cilët duket sikur po tentojnë të bëjnë rolin e “policisë parlamentare” duke dashur që vendosin rregull.
Erion Veliaj për të evituar përshkallëzimin e panevojshëm të situatës ka lënë vetë sallën duke u shprehur se “Tirana do të fitojë”.
Pas kësaj edhe deputetët e mazhorancës e kanë braktisur mbledhjen e këtij komisioni, e cila tashmë nuk ka korumin e nevojshëm për të vijuar më tej.


