Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shprehet se negociatat me Greqinë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të së kaluarës vijon dhe ky është një proces i pakthyeshëm.
“Kësaj jave do ketë një takim tjetër me homologun Kotzias, ku do vazhdojmë diskutimin e gjetjes së një marrëveshje për delimitimin e zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do ketë edhe një takim tjetër të ekipit negociator. Është një proces që ka hyrë në një fazë të pakthyeshme, por shpresoj që të dyja palët kanë nevojë për një kohë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme dhe të drejtë dhe mbi të gjitha një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme”.
I pyetur mbi një datë të mundshme për mbylljen e negociatave ai u shpreh: “Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 28-29 Qershor e kanë gabim. Ne na intereson të mbyllim të gjitha çështjet me fqinjët tanë. kjo është një tezë që është hedhur nga opozita, e cila nuk gjen bazë”.


