Nga 18 deri më 20 qershor në Shkup mbërrin një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për dialog postmonitorimi me Republikën e Maqedoninë.
Siç njoftojnë nga shërbimi për shtyp i APKE-së, deputetët Liz Kristofersen nga Norvegjia dhe Valeriu Giletçi nga Moldavia pritet të takohen me kryeministrin Zoran Zaev, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Nikolla Ivanovski, me anëtarë të Parlamentit, drejtuesit e partive politike, me prokuroren speciale publike Katica Janeva, me gjykatës, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe përfaqësues diplomatikë në vend.
Bisedimet do të fokusohen kryesisht në zhvillimet që nga Raporti i fundit i vizitës së përfaqësuesve të APKE-së në maj të vitit 2017 me një fokus të veçantë në gjyqësor dhe në progresin e përgjithshëm të vendit në mënyrë që të përmbushë detyrimet e saj në Këshillin e Evropës.
Kristofersen dhe Giletçi do të mbajnë një konferencë për shtyp gjatë ditës së fundit të vizitës së tyre në Shkup, më 20 qershor.


