Duket se nuk do të kalohet lehtë vendimi i qeverisë italiane për të mos pranuar anijen me emigrantë duke i lënë për orë të tëra ne det të hapur.
Italia nuk do të pranojë mësimet “hipokrite” nga vendet që emigrantëve gjithmonë ua kanë kthyer shpinën, tha kryeministri italian Giuseppe Conte, duke iu përgjigjur kritikave të Francës për një anije me 629 emigrantë.
“Deklaratat që kanë të bëjnë me anijet që vijnë nga Franca janë të habitshme dhe tregojnë një mungesë të konsiderueshme të njohurive se çfarë po ndodh aktualisht. Italia nuk mund të pranojë mësime hipokrite nga vendet që gjithmonë kanë preferuar t’i kthejnë shpinën emigracionit”, njofton kabineti i Contes.
Ky reagim i kryeministrit italian ka ardhur pas një debati në lidhje me anijen me 629 emigrantë që nuk u lejuan të futen në territorin e Italisë. Gjithashtu edhe Malta nuk ka pranuar që anija të hyjë në territorin e saj, nga ana tjetër Spanja ka njoftuar se do t’i pranojë emigrantët.


