“Projekti 1 miliard është marifet i qeverisë për përfitime politike. Hunda e madhe e borxhit do ti rritet dhe do të rritë kostot e objekteve publike për taksapaguesit”
Ky është konstatimi që bën ish-ministri i Financave Ridvan Bode duke komentuar projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2018.
Në një intervistë për “Mapo”, Bode shprehet se përkundrejt dogmave të qeverisë “Rama”, lidhur me politikat fiskale, janë thelluar diferencat mes shtresave të shoqërisë dhe kategorive të bizneseve.
“Projekt buxheti i prezantuar nga qeveria dhe që mori miratimin në parlament, për mendimin tim është një projekt fiskal, i cili manifeston maturi dhe kujdes për të pasur sa më pak telashe për vetë qeverinë dhe është larg së qëni një përpjekje serioze për të adresuar problematikën komplekse në fushën e ekonomisë dhe pritshmëritë e qytetarëve,” shprehet Bode.
Sipas ish-deputetit demokrat janë goditur më të varfërit e shoqërisë.
“Qeveria në vend të kulaçit u tregoi përsëri kërbaçin qytetarëve dhe biznesit. Disponibilitet e financiare ekzistojnë në banka por kredia për ekonominë vijon të ndrydhet, pasi biznesi heziton të investojë dhe bankat po ashtu pasi janë të pasigrta për klimën investuese dhe suksesin e sipërmarrjeve në vend,” nënvizon ai.


