Atë që nuk e arrin dot lufta, e ka sjell gjithmonë paqja. Atë që nuk e arrijnë dot raketat, e sjellin stilolapsat. Atë që nuk e sjell dot një ultimatum, e sjell gjithmonë një marrëveshje. Atë që nuk e sjellin dekadat, e kanë sjellë minutat. Atë që e ndan gjeografia, e bashkon koha. Atë që nuk të vjen nga pritja, të vjen nga se prêt. Sepse siç e ka shkruar edhe një poet i madh “magjia jote lidh sërisht, atë që shpata e ka ndarë…”
Duket mrekullisht e pabesueshme se si dy shtete që deri dje ishin gati që ta fusnin botën në luftë dhe dy të tjera që nuk e lanë Ballkanin të gjente as tani paqe, brenda 24 orëve, arritën një marrëveshje gati “siameze”. Edhe njeriu më optimist në botë, edhe njeriu më paqedashës e idealist, nuk do të ishte aq i çmendur gjithësesi, sa të vinte bast qoftë edhe për njërën prej dy marrëveshjeve. Aq më pak, ta mendonte se për këtë do të mjaftonte, një njësi e vetme kohe. Vetëm një datë. Vetëm 24 orë. Vetëm 12 qershori i vitit 2018.
Sado optimist, idealist apo ëndërrimtar të jesh në epokën tonë, nuk ke se si ta mendosh, ta besosh e aq më pak ta shikosh me sytë e tu marrëveshjen e firmosur nga Donald Trump e Kim Jong Un për çarmatosjen bërthamore të gadishullit Korean. Sikundër nuk mund ta përfytyroje, sidomos kur je ballkanas, se Athina dhe Shkupi do të binin dakord përfundimisht dhe zyrtarisht, për emrin e republikës fqinjë.
Për marrëveshjen e parë, mjaftuan vetëm katër pika mbi letër:
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut (DPRK) angazhohen për vendosjen e marrëdhënieve të reja SHBA – DPRK, në përputhje me dëshirën e popujve të të dy vendeve për paqe dhe begati.
- Shtetet e Bashkuara dhe DPRK-ja do të bashkojnë forcat për të ndërtuar një regjim afatgjatë dhe të qëndrueshëm paqeje në Gadishullin Korean.
- Duke rikonfirmuar Deklaratën e Panmujom-it të nënshkruar më 27 prill 2018, DPRK-ja angazhohet për të punuar drejt ç’armatosjes së plotë bërthamore të Gadishullit Korean.
- Shtetet e Bashkuara dhe DPRK-ja angazhohen për gjetjen e eshtrave të ushtarakëve, si dhe për rikthimin e menjëhershëm të eshtrave të identifikuara.
Ndërsa për marrëveshjen e dytë, mjaftuan vetëm tri fjalë: Republika e Maqedonisë së Veriut.
Pas kësaj, jo vetëm raportet mes SHBA dhe Koresë së Veriut do të jenë më të relaksuara, por e gjithë bota do të jetë më e qetë, më e paqtë, më normale. Sikundër edhe Ballkani do ti largohet edhe më shpejt të shkuarës për tu bërë në të ardhmen e afërt, gjithnjë e më shpejt e më shumë europiane. E ta mendosh se armiqësia e të dy palëve, ka konsumuar jo vetëm aq shumë kohë e energji, por mbi të gjitha, ka shkatërruar aq shumë shanse e mundësi.
Ballkani nga sot do të jetë një hapësirë edhe më e mirë,- më 27 Qershor edhe Thaçi e Vuçiç do takohen sërisht në Bruksel,- ndërsa bota më e sigurtë. Por, ndërsa shohim dhe analizojmë rajonin dhe ngazëllehemi për gjithë rruzullin tokësor, e mira do ishte që të shihnim pak më afër nesh. Të shohim brenda shtëpisë sonë të përbashkët. Brenda Shqipërisë. Sepse, përderisa SHBA dhe Koreja e Veriut, Greqia dhe Maqedonia e gjetën gjuhën e paqes, përse të mos e gjejnë atë, edhe mazhoranca e opozita jonë në Tiranë.
Përderisa u ulën e bënë apo për të bërë marrëveshje Donald Trump e Kim Jong Un, Aleksis Cipras e Zoran Zaev, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, përse të mos e bëjnë për çështjen e çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE, edhe Edi Rama me Sali Berishën, Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Eshtë koha e uljes së armëve dhe e arritjes së paqes. Le ta shfrytëzojmë edhe ne këtë moment të artë të lehtësisë së papërballueshme për arritjen e paqes mes armiqve. E pas kësaj, bashkë me gjithë botën e Ballkanin, edhe Shqipëria do të bëhej një vend vërtetë më i mirë.