Pas një maratone disa mujore, sot mësohet zyrtarisht fati i hetimit administrativ ndaj ish Kryeprokurorit të Shqipërisë. Pas dy seancave të zhvilluara më parë, pa praninë e Adriatik Llallës Kolegji i Posaçëm i Apelimit jep verdiktin nëse ai do ti nënshtrohet kontrollit pasuror, integritetit dhe profesionalizmit.
Në seancën e parë më 16 maj, avokati i Llallës Sokol Hazizaj deklaroi para Kolegjit se klienti i tij nuk kishte dijeni për këtë proces dhe se ai vetë nuk kishte kontakte prej kohësh dhe nuk e dinte se ku ndodhej.
Në seancën e kaluar, më 31 maj, avokati u paraqit me prokurën e ish Kryeprokurorit i cili e kishte hartuar atë në turqisht, çka i dha argument medias që të shkruante se ai kishte shkuar atje për tiu shmangur drejtësisë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka zyrtarisht nën hetim me 4 akuza të rënda që nga pastrimi i parave të pista, fshehje pasurie, mosdeklarim e deklarim të rremë dhe nxjerrje parash jashtë kufijve të Shqipërisë mbi limitin e lejuar ligjor.
Sipas njoftimit në fawen zyrtare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në interneti: “Sot, e mërkurë, 6 qershor, ora 13:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve do të zhvillohet seancë gjyqësore publike, për çështjen nr. 1/2018 (JR), datë 27.03.2018, për subjektin e rivlerësimit z. Adriatik Llalla.”
Ish Kryeprokurori u tërhoq nga sistemi i drejtësisë dhe për këtë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose shkalla e parë e vettingut deklaroi se Llalla nuk do i nënshtrohet vettingut. Por, Komisioneri Publik e apeloi ketë vendim në shkallën e dytë të vettingut dhe sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit do shprehet nëse ish Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë do ti shpëtojë filtrit të fortë të vettingut, apo do ti nënshtrohet përfundimisht edhe ai si të 800 gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër, që kërkojnë të vijojnë edhe me sistemin e ri të drejtësisë që po ngrihet pas reformës.
Përgatiti: Alpenews.al


