Një ngjarje tragjike është shënuar mesditën e sotme në Gjirin e Lalëzit, Durrës.
Dallgët nxorën në breg trupin e pajetë të 22-vjeçarit me iniciale E.S.
I riu me banim në Tiranë kishte shkuar me miqtë e tij për të pushuar këtë të shtunë në plazh, që rezultoi një ditë tragjike për të afërmit e tij.
Të tmerruar dhe të shokuar që askush nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për ndihmë dëshmitarët tregojnë për “BW” se vetëm polici i zonës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pak para se deti të nxirrte trupin e të riut, megjithëse ishte njoftuar për zhdukjen e të riut.
Ata deklaruan:
Policia është njoftuar nga pushuesit e tjerë prej rreth një ore por përveç një polici të zonës, askush nuk ka ardhur në vend. Kemi telefonuar 129 që në orën 12:10, askush nuk e hapte telefonin. Lajmëruam forcat zjarrfikëse dhe ata u lidhën më pas me policinë por sërish nuk kanë ardhur as polumbarë e as ambulancë në plazh”.
Ata thonë se për të mbuluar trupin e pajetë të viktimës kanë përdorur peshqirët e plazhit.
Dëshmitarët shtojnë:
As ambulancë nuk ka pasur dhe viktima është mbuluar me peshqir nga pushuesit. Polici sapo mbërriti, iu drejtua shokëve të viktimës me fjalët ‘Pse nuk e nxorët, nuk kishit fuqi, si e latë të mbytej’.”


