–Pavllo Mihali, babai i 22-vjeçarit Marvi Mihali i cili u vra me thikë pas një sherri për një karikues telefoni në datë 31 korrik 2017 ka denoncuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda prokurorin e çështjes Artan Lulaj, dy gjyqtarët Bedri Qorri dhe Sokol Pasho dhe oficerin e policisë gjyqësore Kliton Zharri.
Report Tv ka siguruar kallëzimin, ku Mihali akuzon se ata kanë marrë ryshfet për të liruar nga burgu 3 nga 4 të rinjtë e arrestuar për vrasjen e djalit të tij. Sipas tij, prokurori dhe gjyqtarët këmbyen gjakun e tij me shumat me para që morën. Në një pjesë të denoncimit, Pavllo Mihali shprehet se i kanë paraqitur provat prokurorit të cështjes, por sipas tyre ai u ka thënë se “Kam gabuar, dhe ju shkoni ku të doni, se unë nuk pyes njeri”.
Letra e Mihalit me denoncimin i është dërguar edhe Kryeprokurores Arta Marku, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Ambasadës së SHBA. Pak ditë më parë u ndryshua prokurori i cështjes dhe dosjen e mori në dorë Gjergji Tako, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për 3 të rinjtë e liruar.
Ai kërkoi që të rikthen në burg, ndërsa pritet vendimi i gjyqtares Shefkie Demiraj. Mbrëmjen e djeshme i ati i të riut që u vra u shpreh se nëse nuk do të vendoset drejtësia për djalin e tij, ai do të bëjë vetëgjyqësi.






