Pak ditë më parë, në Britani u mbajt një ceremoni për Ditën e ‘Armistikës’, një ditë përkujtimore për veteranët e luftës që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Jam e sigurt se këto ceremoni ndodhin edhe në shumë vende të tjera të botës, por në njëfarë mënyre Britania duket se është vendi i duhur për të nderuar shërbimin, sakrificën dhe si vend i vogël mblodhi miqtë e një koalicioni të fuqishëm për të mposhtur tiraninë monstruoze , që ndodhi jo një herë në Luftën e Madhe, por përsëri në Luftën e Dytë Botërore.
Kështu, vëzhgova dhe studiova ditën e Kujtesës të mbajtur ditën e Diel, një aktivitet vjetor për përulësi, nderim, mirënjohje dhe mbi të gjitha, për tu siguruar se sakrifica dhe dhurimi nuk do harrohen kurrë. Duke qenë dëshmitare mbi praninë e Mbretëreshës dhe anëtarëve të familjes mbretërore, Kryeministren dhe të gjithë paraardhësit që janë gjallë, udhëheqësit e të gjitha partive politike, udhëheqësit e më shumë se dhjetëra besimesh fetare, forcat e armatosura dhe dhjetëra federata, të gjithë u bashkuan në një mëngjes të ftohtë dielli të së dielës për të hedhur kurora me lule me ngjyrën e gjakut në këmbët e Cenotaph në Whitehall, them se është një kujtesë e zymtë për kohët e fisshme të një njerëzimi të përbashkët, një komuniteti kolektiv, me vlera dhe qëllime të përbashkëta. Ky aktivitet gjallëron figurën e mënyrës sesi demokracitë tona kanë mbijetuar.
Unë gjithnjë emocionohem, por për mua arsyeja që ka më shumë rëndësi është fakti që ka të bëjë edhe për burrat dhe gratë e profesionit tim, gazetarët që nuk i kanë reshtur kurrë në betejën për të treguar vërtetën. Të rënët e profesionit tonë nuk mbahen mend dhe nuk kujtohen në këto shërbime, pa të vërtetën që në kërkojmë, nuk mund të kishte demokraci, vetëm diktaturë. Pa të vërtetën që sjellim nuk ka sundim të ligjit, vetëm anarki dhe shkatërrim. Pa të vërtetën ka vetëm gënjeshtra që na çojnë në një mjegull të rrezikshme konfuzioni duke mos ditur në cilën rrugë, apo kujt t’i drejtohemi. Ky makth distopian është kthyer sot në një sëmundje akute.
Image result for Christiane AmanpourÇdo vit, shumë prej nesh plagosen dhe vriten në këtë betejë të madhe. Vetëm pak muaj më parë, në Maltë, një gazetare e patrembur e quajtur Daphne Caruana Galizia u hodh në erë, në një sulm qe ndodh zakonisht vetëm në zonat e luftës: Ajo vdiq nga një pajisje shpërthyese e improvizuar. Imagjinojeni pak: Ajo ishte për mundësitë e barabarta, gazetare anti-korrupsionit, duke synuar të zbardhë të vërtetat mbi qeverinë dhe opozitën. Postimi i saj i fundit me fjalët e pavdekshme na tregon se: “Ka mashtrues ngado që hidhni sytë. Situata është dëshpëruese”.
Gjysmë ore më vonë ajo u hodh ne erë me një eksploziv. Jashtë shtëpisë së saj. Në mes të Europës. Nuk duhet të ndodhë, por ja që ndodh. Duket shumë më e papranueshme sesa arrestimi dhe vrasja e kolegëve tanë dhe sulmi ndaj fjalës së lirë midis të zakonshmëve: Kjo situatë vazhdon në Turqi, Rusi, Meksikë, Filipine, Iran, Arabi Saudite , Indi, Mianmar, dhe lista vazhdon se është gjatë…
Edhe kur gazetarët nuk vriten me gjakftohtësi, ata janë nën presion, nën peshën e censurës dhe përballjes ligjore. Dhe ky sulm ndaj të vërtetës dhe fakteve tani është përhapur deri në vendin ku është shkruar edhe Amendamenti i Parë, vendi i shtypit të lirë të mbrojtur me Kushtetutë, Fourth Estate. Fourth Estate- ose pushteti i katërt, media, pjesë e shoqërisë që ushtron një ndikim të tërthortë por të rëndësishëm në shoqëri edhe pse nuk është një pjesë e njohur zyrtarisht e sistemit politik.
Në vitin kur Donald Trump u zgjodh President i Amerikës ai dhe mbështetësit e tij politikë kanë përdorur lajme të rreme si armë politike me të cilat na mashtron dhe na nënshtron. Por, ne nuk do dorëzohemi as nuk do përulemi, edhe pse kokat tona janë mbushur me gjak. Ka dy lloje të lajmeve të rreme: Së pari lloji që njihet si gënjeshtra; së dyti është kodi “Nuk më pëlqen ajo që po thua për mua.” Që të dyja janë ngulitur në bisedat tona. Collins Dictionary e quajti fjalën “lajm i rremë” si fjala e vitit. Më e tmerrshmja është se po përhapet në shumë shtete, të cilët thjesht refuzojnë të besojnë e të analizojnë faktet.
Duket se çdo javë zgjohemi me shumë lajme të këqija në lidhje, me Facebook-un që ka pranuar së fundmi se ka rrjedhje të informacioneve të rreme të lidhur me Kremlinin, duke u përpjekur të influencojë rreth 150 milion përdorues gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në Amerikë. CNN sapo ka zbuluar se hakerat rusë kanë ndërhyrë edhe në ditën e referendumit të Britanisë, më 23 qershor 2016, duke bërë që të rritej ndjenja pro-Brexit, pro largimit të Britanisë nga BE-ja ndërkohë që njerëzit po votonin. Një raport tregoi se një nga vendet më të rrezikshme për një gazetar në Amerikë është të jetë kundër Trump. Unë mendoj se kjo s’është shumë e habitshme: Pas të gjithave, ai na ka quajtur të gjithëve si armiq të popullit amerikan.
Në këtë periudhë të vitit, do bënim mirë të kujtonim se ne gazetarët jemi miqtë më të mirë të njerëzve. Mos harroni se kudo në botë, gazetarët luftojnë vetëm për të vërtetën dhe garantimin e lirisë. Dhe mos harroni se gënjeshtrat çojnë vetëm në skllavërim. Ne gazetarët do vazhdojmë në këtë betejë. Shtypi i lirë nuk duhet të demonizohet.
Kristine Amanpur, gazetare britaniko-iraniane, prezantuese televizive e programit Nightly Interview në CNN dhe reportere Ndërkombëtare për CNN.
Cenotaph- varr i zbrazët ose një monument i ngritur në nder të një personi ose grupi njerëzish, eshtrat e të cilit ose të cilëve janë diku tjetër. Marrë nga CNN/ Përshtati për Tiranapost.al Elisa Bajramaj.


