Ashtu siç është paralajmëruar edhe më herët, seanca e sotme e Kuvendit pritet të shoqërohet me debate dhe tensionet nga ana e opozitës.
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 nën drejtimin e Zv/kryetares Vasilika Hysi, ndërsa në rend të ditës është parashikuar të bëhet edhe betimi i deputetit më të ri të Republikës së Shqipërisë, Spartak Braho, i cili zëvendësoi Saimri Tahirit, pasi ky i fundit hoqi dorë nga mandati ndërsa ndodhet në ‘arrest shtëpie’.
Kujtojmë se opozita paralajmëroi se seanca e së enjtes nuk do të jetë normale, ndërsa deputetët do tentojnë të bllokojnë punimet, ndërsa në qendër të sulmit të tyre do të jetë sërish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ky i fundit prej disa ditësh është sulmuar nga opozita me pretendimin e mbron vëllain e tij të dënuar në Itali për trafik droge. Madje këtë javë PD publikoi edhe një audiopërgjim, ku sipas tyre thuhet se është vëllai i Xhafajt, Agron Xhafaj, që flet më trafikantë droge.


