Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të përsëritet njoftimi për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, nisur nga fakti se vetë Llalla, sipas avokatit të tij, nuk ka dijeni për procesin, dhe plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, për vazhdimin e procesit.
“VENDOSI:
Ti kërkojë përfaqësuesit, avokatit Sokol Hazizaj plotësimin e prokurës të datës 10.4 2018 duke u shprehur në mënyrë të posaçme vullnetit të përfaqësuarit për ti dhënë përfaqësuesit të tij tagrat. Vendos të përsëritet njoftimi i ankimit të subjektit të rivlerësimit si dhe të njoftohet për seancën subjekti i rivlerësimit, zoti Adriatik Llalla”, tha kreu i trupit gjykues.
Avokati kërkoi që dita e ardhshme e gjykimit të jetë jo më pak se 15 ditë, kohë që i duhet për të marrë prokuroën për vijimin e procesit. Seanca u vendos për në 31 maj në orën 10.00.
Gjatë seancës Hazizaj tha se vetë Llalla nuk është në dijeni të procesit dhe se vetë ai ka më shumë se 2-3 javë pa komunikuar me klientin e tij.
“Në dijenin time nuk ka dijeni, por unë kam tagrin që ta përfaqësoj. Komunikimi i fundit më shumë se 2-3 javë”, tha ai, duke shtuar se dokumentet e tërhequra ia ka dorëzuar familjarëve të tij.
Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.
Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.
Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.
Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.
Eshte krejt e dukshme që Adriatik Llalla po i bishtnon drejtësisë, nga frika e përballjes me të. Njeriu që për 5 vjet me radhë ishte në krye të organit të akuzës në emër të shtetit shqiptar, tani që nuk është më Kryeprokuror, bëhet i pari qytetar që i shmanget asaj. Pse ka frikë Adriatik Llalla nga vettingu?! Pakkush ka mbetur ende në këtë vend që nuk e ka të qartë përse. Pyetja që ata mund të shtrojnë është: A e shpëton dot loja e “strucit” Adriatik Llallën që ti shpëtojë përgjithmonë përballjes me ligjin?!