Partia Socialiste ka dalë me të parin reagim zyrtar fill pas denoncimit të PD-së, për audion ku shfaqej në përgjim vëllai i ministrit Xhafaj me trafikantin e penduar.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka theksuar se së pari duhet provuar nëse audio është një material autentik dhe PD duhet ta dorëzojë materialin e pretenduar direkt në Prokurori e kjo e fundit duhet të nisë urgjent hetimet.
“A është audio autentik dhe nëse do të ishte e vërtete atëherë kemi të bëjmë me një provë që implikon penalisht vëllanë e ministrit dhe moralisht këtë të fundit, por a është autentik, apo inskenim i radhës në përpjekje të vazhdueshme të Saliut dhe Lulit për të baltosur këdo që u del përpara në orvatjen e tyre për të penguar me cdo kusht çeljen e negociatave me BE dhe për të luftuar edhe drejtësinë e re prej të cilës kanë të drejtë të jenë shumë të tmerruar, kësaj pyetje i jep përgjigje vetëm prokuroria dhe askush tjetër, prej momentit kur ajo fillon hetimin”- tha Balla.


