Partia Demokratike publikon fakte të reja për skandalin e ministrit të brendshëm Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj.
Ja si e komenton Alibeaj këtë rast
“Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj burg.
Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar cdo veprim për ekstradimin e të vëllait”.
Partia demokratike publikon përgjimin audio. Agron Xhafaj kapet në bisedë për trafik droge.
E plotë/ Nis përgjimi në lokal
Bashkëpunëtori X: Ça bëre? Si ke qënë nga shtëpia ti?
Agroni: Mirë o mirë, ti mirë?
Bashkëpunëtori X: Mirë
Agroni: Mirë keni qënë? Ça bërë ndonjë gjë?
Bashkëpunëtori X: Mirë
Agroni: Si ia kalove? Ça bëre ndonjë gjë të re?
Bashkëpunëtori X: Mirë vëlla mirë. Dëgjo ore, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…
Agroni: Një herë më ke marrë mua në telefon ti. Ndonjë gjë tjetër ça ke bërë?
Bashkëpunëtori X: Hiç, ja erdha për atë që të thashë, për të bërë rrugën.
Agroni: Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.
Agroni: (Përmend një fjali me 5-6 fjalë, po nuk kuptohet mirë).
Agroni: Do të të çoj unë te Ermali ore, është shoku im i ngushtë.
Bashkëpunëtori X: Të faleminderit (2-3 fjalë s’kuptohen). Se erdha ngaqë jam keq vlla, se nuk erdha nga e mira.
Agroni: Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko edhe vëllanë (Fatmir Xhafaj). Shumë fare po na sulmojnë. Të jetë hera e parë dhe e fundit.
Bashkëpunëtori X: E mirë vlla mirë.
Agroni: Mirë pra, ndonjë gjë tjetër çar ke bërë?
Bashkëpunëtori X: Hiç asgjë.
Agroni: Na kanë nxjerrë emrin. Mos më bjer më në qafë, aman të keqen! Ata të tjerët në Itali, e shikon (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen, sepse flasin njëkohësisht me bashkëpunëtorin X).
Bashkëpunëtori X: Mirë vlla mirë, (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen). Ne duke pirë kafe jemi, s’e vrasim mendjen.
Agroni: Ndonjë gjë tjetër nga shpia?
Bashkëpunëtori X: Mirë të gjithë. Ti vetë mirë?
Agroni: Mirë, mirë.
Bashkëpunëtori X: Mirë o vlla rrofsh, faleminderit.
Agroni: Po na sulmojnë ata, keq fare.
Bashkëpunëtori X: Mirë, mirë.
Agroni: Kalofsh mirë.
Bashkëpunëtori X: Faleminderit njëherë për të gjitha. S’të nxjerr asnjë problem. Rrofsh edhe për kafen.
Agroni: Aman o të keqen vllai, hera e parë dhe e fundit, mos më bjer më në qafë.
Bashkëpunëtori X: Po ik o se s’të bije më në qafë, po kisha një problem se kam një hall edhe unë. Ta bëra si vëlla.
Agroni: Po gjërat nuk e shikon si janë?
Bashkëpunëtori X: Se e njohim njeri-tjetrin.
Agroni: Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore.
Bashkëpunëtori X: Mirë o vlla mirë, hajde rrofsh. Do e takoj unë Ermalin. Pa merak.
Agroni: Te Ermali vëlla.
(Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Agron Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhrat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë.)
TRE FAKTET KUNDËR MINISTRIT TË BRENDSHËM FATMIR XHAFAJ
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj burg.
Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar cdo veprim për ekstradimin e të vëllait.
1. Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg, sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm:
• Për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt
• Për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri
• Për arrestimin dhe burgosjen e tij.
2. Fatmir Xhafaj nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj.
Fallsikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri dhe Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj për trafik ndërkombëtar droge, nuk bën asnjë ditë burg.
3. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafajt. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën, automatikisht, subjekt të ligjit vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
II. AGRON XHAFAJ, VËLLAI I MINISTRIT TË BRENDSHËM VAZHDON TRAFIKUN E DROGËS
Me 7 Tetor 2010 Fatmir Xhafaj deklaroi se “e ka ndihmuar vëllanë t’i rikthehet jetës normale, pa asnjë rekord negativ përballë ligjit”.
Kjo është gënjeshtër.
Kjo është e pamundur përsa kohë Fatmir Xhafaj siguron nga posti i tij që Agron Xhafaj të mos bëjë asnjë ditë burg nga dënimi dhe të vazhdojë të jetojë me paratë e drogës, pasuri e cila nuk është sekuestruar sic kërkon ligji Antimafia.
Dje e pyetëm Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj:
A e vazhdon Agron Xhafaj aktivitetin kriminal të trafikut të drogës?
Kanë kaluar 24 orë dhe Fatmir Xhafaj nuk ka kthyer përgjigje.
Ne i dimë arsyet përse ai hesht.
Arsyet janë se i vëllai i Ministrit të Brendshëm nuk bën një jetë normale, siç garanton Fatmir Xhafaj.
Ai është një nga bosët më të fuqishëm të trafikut të drogës në Shqipëri, që drejton dhe koordinon një grup kriminal me bazë në qytetin e Vlorës.
Partia Demokratike publikon sot një material audio që tregon se Agron Xhafaj e kryen aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës edhe gjatë kohës që vëllai drejton Ministrinë e Brendshme.
III. Qëndrim përmbyllës
Kjo që dëgjuam është e vërteta dhe realiteti.
Agron Xhafaj është bos i drogës në Shqipëri, por i pa prekshëm përsa kohë është vëllai i Ministrit të Brendshëm.
Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt.
Fatmir Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës:
Ministrat e tij të brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës.
Pushteti i Edi Ramës e ka lidhur fatin e vet me atë të krimit të organizuar.




AlpeNews.al



