Në përgjigje të spekulimeve të bëra ditët e fundit, mbi cilësinë e barnave për pacientët me Talasemi, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore garanton qytetarët se të gjitha barnat e Listës së Rimbursimit janë efikase dhe të çertifikuara.
Sot, barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë janë barna të regjistruara dhe qarkullojnë në vendet e origjinës që janë në BE, SHBA, Kanada, Japoni, Australi, Turqi dhe Ballkan.
Bari “Enferox”, “Deferasirox”, është i autorizuar për tregtim në vendin e origjinës. Ky bar është gjeneriku i barit origjinator “Exjade”, të cilit tashmë i ka skaduar patenta, bar i prodhuar nga kompania farmaceutike “Novartis Pharma”.
Bazuar në rekomandimet e OBSH ku theksohet që duhet të nxitet përdorimi i barnave gjenerike në momentin që barit origjinator i ka skaduar patenta, për një kosto-efektivitet më të mirë në trajtimin e sëmundjeve, barnat gjenerike autorizohen dhe përshkruhen jo vetëm në RSH, por kudo në botë për trajtimin e sëmundjeve. Të gjitha barnat dhe jo vetëm “Enferox” kanë kaluar filtrin e kontrollit të cilësisë pranë AKBPM- së dhe kanë marrë opinionin pozitiv të Komisionit të Përhershëm të Barnave.
Bari “Exjade“, i prodhuar nga Novartis vazhdon të jetë pjesë e Listës së Barnave të Rimbursueshme, pra në asnjë rast nuk është hequr, por janë shtuar alternativa të tij, proces ky që ka ndodhur ndër vite në LBR, me daljen e patentave të barnave origjinatore dhe përfshirjen e gjenerikëve të tyre.
Ne mbetemi të angazhuar për të qenë sa më afër këtyre pacientëve, për të ofruar një shërbim sa më të mirë dhe të garantuar, por duke i kërkuar cilitdo, që të mos bëjë politikë me jetën dhe shëndetin e pacientëve talasemikë dhe të mos spekulojë me cilësinë e barnave që janë të çertifikuara, për interesa politike ose të llojeve të tjera.


