Shqipëria është një prej vendeve që ka miratuar ligjin për instalimin e kamerave të sigurisë edhe në bizneset private, me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Por për fat të keq zbatimi i tij ka gjetur shumë pak hapësira dhe aty ku janë harxhuar paratë për vendosjen e tyre, ndodh që kamerat të jenë jashtë funksioni.
I tillë ishte edhe rasti i ngjarjes së sotme në Vau Dejes, ku një shtetas u plagos nga persona ende të paidentifikuar brenda servisit të tij. Kur policia sebashku me grupin hetimor nisi punën për zbardhjen e ngjarjes dhe ju drejtua mjediseve të brendshme të biznesit për të sekuestruar pamjet e sigurisë të kamerave të vendosura përreth, gjeti faktin shokues se ato ishin jashtë funksioni.
Kjo bëri që hetimi t’i kthehej metodave të vjetra të përdorura nga policia, marrjes së dëshmive si dhe ekzaminimi balistik i plumbit që qëlloj 43 vjeçarin. Por ky fakt është shumë herë më i rëndë sesa ngjarja në fjalë, pasi burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se si rasti në fjalë, janë edhe mbi 40 % e bizneseve, që kamerat i kanë vendosur formalisht dhe për pasojë ato nuk regjistrojnë asgjë.
Sa herë që ndodh një ngjarje, policia burim të parë kërkon pamjet filmike, por në të tilla raste ato nuk egzistojnë dhe këto biznese justifikohen formalisht se me ligjin detyrues janë në rregull.
Pjesa më e madhe e tyre pohojnë se janë detyruar të vendosin kamerat për t’iu shmangur gjobave, por nuk kanë instaluar pajisje regjistruese, për shkak të kostove. Ende nuk dihet nëse do të ketë një nisëm të dytë për përmirësimin e këtij handikapi të krijuar, që më shumë sesa një ngjarje, mund të dëmtojë paranojën e frikës që japin kamerat për personat me prirje kriminale!
Një nga detyrimet e institucioneve është të monitorojnë zbatueshmërinë e ligjeve dhe më këto shifra që jepen sot për kamerat e sigurisë, marrja e masave është më shumë se domosdoshmëri.


