Ka një pritshmëri shumë të madhe publike me sa duket për arrestimin e atij që është konsideruar si një nga “peshqit e mëdhenj” që pritet të bjeri në rrjetën e drejtësisë se re shqiptare.
Kjo pritshmëri përkon me zhvillimet intesante të bëra publike, por edhe të tjera ende jo publike, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda rreth çështjes “Llalla”. Çka i bën të besueshme zërat për një arrrestim të shpejtë të mundshëm të ish Kryeprokurorit të Përgjithshëm, në ditët në vijim.
Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Alpenews.al 77.62% e qytetarëve mendojnë se Adriatik Llalla do të arrestohet. Ndërsa përqindja e atyre që mendojnë të kundërtën është, 22.38%. Numri i pjesëmarrësve në këtë sondazh të parë, disa ditor, ka qenë shumë i lartë dhe i ka kaluar disa qindra persona duke iu përafruar kampionit të numrit të të pyeturve që realizohet edhe në një sondazh profesional.
Prej rreth 2-3 javësh hetimet për Adriatik Llallën nga Prokuroria e Durrësit, i kaluan për kopetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosja me nr. 447 ndaj ish Kryeprokurorit mban brenda materiale të shumta, prova dhe dëshmi. Ai duhet të mbrohet për 4 akuza: “Mosdeklarim të të hollave në kufij”, “Pastrim parash”, “Shpërdorim detyre” dhe “fshehje të pasurisë”.
Pak ditë më parë Kryeprokurorja Arta Marku shkarkoi nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj dhe në vend të tij u emërua Donika Prela, që deri atë ditë ka qenë drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit. Ndëra prokuror i çështjes “Llalla” është Klodian Braho.
Të mërkurën e javës së ardhshme, më 16 maj, Adriatik Llalla do të dalë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në seancën e parë të procesit administrativ (në shkallën e dytë të vettingut) nga ku po kalojnë rreth 800 prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit aktual të drejtësisë.
Alpenews.al ka nisur në këtë mënyrë sondazhin e përjavshëm, si një produkt i ri i medias tonë online, për ti dhënë mundësinë ndjekësve që të jenë “bashkautorë” në përpjekjen tonë profesionale për fotografimin e opinionit publik, i cili do të ftohet rregullisht që të japi gjykimin e vet për çështje, zhvillimet dhe situatat më të rëndësishme që kalon vendi.
Përgatiti: Alpenews.al


