Shefja e Departamenti të Gazetarisë në Elbasan, Elvira Lumi ka çuditur trupën gjyqësore gjatë seancës së sotme.
Ajo ka përzënë avokatin mbrojtës duke thënë se rregullat i vendos ajo.
Lumi, e arrestuar bashkë me disa pedagogë të tjerë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” për korrupsion, thotë se është vetë avokate.
54 vjeçarja ka dalë në sallën e gjyqit, por tejet e irrituar, edhe nga karrigia ku ishte ulur. Pedagogia e gazetarisë më herët ka pasur probleme psikologjike për të cilën është kuruar për kohë të gjatë dhe më pas është risjellë në universitet për të dhënë mësim.
Në gjyq kanë dalë dekani Albert Riska, Elvira Lumi dhe Erjola Calja.
Njoftimi i policisë:
Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor zhvilluan operacionin e koduar “Dekani”.
Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.
Të arrestuarit janë:
1- Albert Riska,55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
2- Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.
3- Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
4- Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.
5- Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.
6- Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.
7- Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.
“Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259, i Kodit Penal, “Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike””, sqaron policia.
Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.


