Vendoset Klodian Braho, prokurori që do të hetojë dosjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, dosje e cila eshtë regjistruar pranë Krimeve të Rënda.
Me 16 maj Llalla dep para Kolegjit të Posaçem të Apelimit në seancë dëgjimore. Akuzat që rëndojnë mbi Llallën janë “Mosdeklarim të të hollave në kufij”, “Pastrim parash”, “Shpërdorim detyre” dhe fshehje të pasurisë.
Në dispozicion të hetuesve janë vënë deklaratat e pasurisë së Llallës dorëzuar në ILDKPKI. Gjithashtu, janë marrë nga hipotekat të gjitha dokumentacionet për pasuri të paluajtshme.
Objekt i hetimit do të jetë edhe shitja e një sipërfaqeje toke ullishtë prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull të Bathores në Tiranë. Sipas deklarimeve në ILDKPKI të Adriatik Llallës, ai e ka shitur këtë pronë duke përfituar 250 mijë euro. Më 16 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Llallën, por nuk bëri asnjëherë publik rezultatet.
Vetë Kryeprokurorja Marku, në një intervistë për një studio televizive, la të kuptohej se hetimet ndaj ishKryeprokurorit mund të konkretizoheshin. Llalla pati përplasje të shumta me ambasadorin amerikan në Tiranë dhe këtë vit Departamenti Amerikan i Shtetit doli në një deklaratë publike, ku lajmëroi se SHBA-të ia kishin ndaluar hyrjen ish-Kryeprokurorit pasi dyshohej për afera korruptive. Zërat për hetimin e tij u përforcuan edhe më shumë, kur një burim diplomatik i tha “Deutsche Welle-s” se ishKryeprokurori ishte nën hetim për pastrim parash.
/AlpeNews.al


