Policia e Tiranës ka arrestuar edhe një tjetër autor, që ishte në kërkim për plagosjen e dyfishtë të ndodhur para tre muajsh në zonën e Selitës.

I arrestuari është Deivid Shuaipi, 23 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim që prej datës 16 shkurt, kur mbeti i plagosur Valmend Pelivani dhe shoku i tij, Renato Hoxha. Ndërsa vijon të jetë në kërkim edhe një tjetër person, shtetasi me iniciale F.P., 24 vjeç.
Vëllai i këtij të fundit, shtetasi Redi Palushi, u arrestua një muaj më parë me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim. Dy ditë pas përplasjes me armë, Policia e Tiranës arrestoi Florjan Musaj, 25 vjeç, pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe njërin nga të plagosurit, Gjon (Valmend) Pelivani, 28 vjeç.
Gjithashtu, Policia tha se ishte bërë shpallja në kërkim e dy personave të dyshuar si bashkëpunëtorë për ketë ngjarje, F.P., 24 vjeç dhe Redi Palushi, 22 vjeç, që u arrestua një muaj më parë. Në fakt, po për këtë ngjarje, në kërkim ka qenë edhe një person i tretë, shtetasi Deivid Shuaipi, i cili u arrestua dje.
“Këta persona akuzohen për ngjarjen e ndodhur më datë 16 shkurt, rreth orës 12:30, në rrugën ‘Irfan Tomini’, ku gjatë një konflikti të çastit ka mbetur i plagosur shtetasi Gjon (Valmend Pelivani) dhe Renato Hoxha, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, me një krehër me 2 fishekë”, tha në njoftimin zyrtar Policia e Tiranës dy ditë pas plagosjes.
Ndërsa dje u njoftua nga Policia për arrestimin e një tjetër të dyshuari, që ishte shpallur në kërkim prej 3 muajsh në lidhje me këtë ngjarje. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim policor, Deivid Shuaipi, 23 vjeç, banues në Tiranë, (i shpallur në kërkim policor për veprat penale ‘Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’).
Ky shtetas, më datë 16.02.2018, në rrugën ‘Pandeli Çale’ në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Gjon Pelivani dhe Renato Hoxha”, tha dje Policia.
Përplasja me armë u filmua nga kamerat
Përplasja me armë, ku mbetën të plagosur 2 persona në Selitë, më 16 shkurt të këtij viti, ndodhi pas një tentative për të sqaruar një konflikt të mëparshëm mes dy grupeve. Sherri mes dy grupeve u filmua nga kamerat e sigurisë së lokalit që ndihmuan në zbardhjen e ngjarjes.
Megjithëse nga pamjet filmike nuk ishte e qartë nëse dy personat që shfaqeshin me armë kanë qëlluar apo jo, janë të dukshme veprimet kërcënuese që ata kryejnë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Deri tani, për këtë ngjarje janë arrestuar 4 persona, ndërsa është në kërkim edhe një tjetër.


