Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet për një vizitë zyrtare në Berlin. Ai ka mbërritur në Gjermani gjatë mesditës, ndërsa nesër do të ketë një takim me kancelaren Merkel, qe perkon edhe me Diten e Europes.
“Sapo kam arritur në Berlin, me ftesë të kancelares Angela Merkel. Gjermania ka qenë gjithmonë mbështetëse e rrugëtimit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Me kancelaren Merkel nesër do të bisedojmë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, për perspektivën evropiane dhe dialogun me Serbinë. Roli i saj në këto procese është përcaktues. Kosova do të jetë e përgjegjshme në procesin e reformave dhe implementimin e obligimeve ndërkombëtare” shkruan Thaçi në fb.
Presidenti Thaçi do të kërkojë mbështetjen e kancelares Merkel për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dinamizmin e perspektivës europiane, si dhe vazhdimin e mbështetjes në fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurse sot në mbrëmje, para shumë përfaqësuesve shtetërorë, diplomatikë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, presidenti Thaçi pritet të mbajë një ligjëratë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare.


